LajmeMaqedoniRajon

Rruga Tetovë-Prizren me tunel 6.4 km për të cilën po flet Kurti, kjo është kostoja nëse ndërtohet

Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së djeshme në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar nisjen sa më të shpejtë të punimeve për fillimin e ndërtimit të rrugës Prizren-Tetovë.

Gjatë tubimit që u mbajtë në mbrëmje, Kurti tha se kostoja e përllogaritur e këtij projekti është 200 milionë euro, raporton Express.

Sipas Kurtit, kjo kosto s’është aq e lartë, meqë siç tha, përfitimi është i jashtëzakonshëm saqë i pamatshëm. Në këtë projekt parashihet edhe një tunel 6.4 km.

“Zëvendësministri im i Infrastrukturës Hysen Durmishi është dakorduar me homologun e tij, zëvendësministrin e Transportit, Bekim Rexhepin e me drejtorin e Ndërmarrjes Shtetërore, rrugët e Maqedonisë, Ejup Rrustemin, janë dakorduar pra për njërin nga gjashtë opsionet e dala nga studimi i fizibilitetit me tunel 6.4 kilometra, pak më i gjatë se ai në Kalimash, dhe nga 15 kilometra në të dy anët e hyrje daljeve të tunelit. Kostoja e parallogaritur e këtij aksi të rëndësisë së madhe ndërshtetërore, kombëtare, rajonale e evropiane është rreth 200 milionë euro, 3/4 për tunelin e pjesa tjetër për rrugët në të dy anët e tij që e lidhin Prizrenin me Tetovën, që e lidhin Tetovën me Prizrenin. Pra, nuk është kosto aq e lartë, ndërkaq përfitimi është i jashtëzakonshëm saqë i pamatshëm”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka thënë se vonesat për këtë rrugë janë të paarsyeshme dhe të dëmshme.

“Andaj, vonesat për këtë aks infrastrukturor janë të paarsyeshme dhe janë të dëmshme dhe unë kërkojë ndihmën e të gjithë juve dhe të secilit prej jush që jeni këtu, e që po na ndjekin tash ose më vonë, që bashkërisht të mobilizohemi e të aktivizohemi që asnjë ditë të mos humbet pa punuar për këtë aksin rrugor i cili i lidhë Prizrenin me Tetovën, që te zoti në qiell kanë qenë një qytet e kur kanë rënë në tokë janë nda nga malet e Sharrit e janë bërë Tetova këtu e Prizreni në anën tjetër. Le t’i bëjmë Prizrenin e Tetovën një me aksin rrugor që na lidh me këtë tunel. Jemi marrë vesh kryeministrat, qeveritë, komisionet, vonesat janë të papranueshme”, citohet të ketë thënë Kurti, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.

Ndryshe, marrëveshja për ndërtimin e kësaj rruge është nënshkruar në shtator të vitit 2021./Gazeta Express

Show More

Related Articles

Back to top button