Përfaqësuesi i lëvizjes së djathtë ekstreme, Javier Milei tronditi kastën politike argjentinase. Ai doli si politikani më i votuar në garën paraprake për t’u kualifikuar si kandidat për president në zgjedhjet e përgjithshme të muajit tetor.
Zoti Milei, që njihet si adhurues i ish Presidentit Trump, kërkon eliminimin e Bankës Qendrore të Argjentinës, i konsideron ndryshimet klimatike si një teori të pavërtetë, thotë se edukata seksuale në shkolla është një komplot për të shkatërruar familjen, beson në legalizimin e shitjes së organeve dhe dëshiron ta bëjë më të lehtë blerjen dhe zotërimin e armëve.
Në fjalimin nga selia e tij, zoti Milei u betua t’i “jap fund kastës parazite, të korruptuar dhe të padobishme që ekziston në këtë shtet”, siç u shpreh ai.
“Sot ndërmorëm hapin e parë drejt rindërtimit të Argjentinës,” thotë ai. “Një Argjentinë ndryshe është e pamundur me të njejtit njerëz.”
“Këta janë njerëzit e vjetër, që kanë dështuar gjithmonë, të njejtit njerëz të vjetër që kanë dështuar në 100 vjetët e fundit,” shtoi zoti Milei.
Me 92 për qind të votova të numëruara deri të dielën në mbrëmje, analistët janë të një mendimi, se kandidati që fitoi famë dhe u popullarizua duke kritikuar me pasion të ashtuquajturën “kastë politike,” i tejkaloi pritshmëritë. Zoti Milei mori 30 për qind të votave, ndërkohë që kandidati kryesor i koalicionit opozitar, “Të Bashkuar për Ndryshim”, fitoi 28 për qind dhe kandidati i koalicionit qeverisës, “Bashkimi për Atdheun”, mori 27%.