Turqia mund të ndërmjetësojë për eksportimin e drithërave që vijnë nga Deti i Zi, në drejtim të atyre vendeve që kanë nevojë. Lajmin e zyrtarizoi vetë presidenti Rexhep Tajip Erdogan ditën e sotme, i cili deklaroi se do të diskutonte për këtë me liderët në Kiev dhe Moskë.
Erdogan shtoi se plani turk është i detajuar dhe se vendi i tij është gati, duke vënë në dispozicion 20 anije për transportin nga portet ukrainase, ndërkohë që rezervat turke të drithërave janë sipas tij në gjendje të mjaftueshme.
Presidenti turk u ndal sot edhe mbi procesin e anëtarësimit e Suedisë dhe Finlandës, duke thënë se heqja e vetos së Ankarasë për ftesën ndaj dy vendeve skandinave nuk do të thotë se nuk do të ketë kërkesa shtesë për anëtarësimin e tyre të plotë.