LajmeRajon

Analisti serb tregon kur do të mbahen zgjedhjet në veri të Kosovës

Analisti serb Branislav Krstic, është shprehur se në komunat veriore Zubin Potok dhe Mitrovicë Veriore do të votohet vetëm për kryetarin e komunës, ndërsa në Zveçan dhe Lleposaviq do të mbahen zgjedhjet edhe për kuvendet lokale komunale

Ai ka thënë se Prishtina zyrtare nuk do të pajtohet me bazën ligjore për shpërndarjen e kuvendeve në Mitrovicën Veriore dhe Zubin Potok.

“Siç janë gjërat tani, në komunat veriore Zubin Potok dhe Mitrovicë Veriore do të votohet vetëm për kryetarin e komunës, ndërsa në Zveçan dhe Lleposaviq do të mbahen zgjedhjet edhe për kuvendet lokale komunale. A ka bazë ligjore për shpërndarjen e kuvendeve në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok, mendoj se Prishtina zyrtare nuk do të pajtohet me këtë“.

Ai shtoi se peticioni për shkarkimin e kryetarit është punë e lehtë për Listën Serbe.

“Sa i përket peticionit për shkarkimin e kryetarit, teknikisht është punë e lehtë për Listën Serbe, e cila për dy ditë do të mbledhë nënshkrimet e qytetarëve, por tani për tani nuk ka marrëveshje politike për asgjë. Procedura për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të vendit do të përshpejtohej ndjeshëm nëse kryetarët e komunave jepnin dorëheqje, por në Prishtinë nuk ka vullnet politik për një gjë të tillë”, transmetoi ai.

Krstic tha se, zgjedhjet do të mbahen në tetor.

“Një gjë është e sigurt: zgjedhjet lokale do të mbahen në tetor. Duhet të pritet që në mesin e shtatorit grupet e interesit euroatlantik të dalin me ultimatum për Prishtinën dhe Beogradin, sepse është e qartë se pa ndikim të huaj këto dy palë nuk mund të merren vesh për asgjë”.

“Përshtypja është se menaxhimi i konfliktit ndërkombëtar për Kosovën ka një strategji dhe duhet pritur presion i fortë ndaj Beogradit dhe Prishtinës zyrtare. Deri në fund të vitit ndoshta do të kemi një draft zyrtar për formimin e Asociacionit, por edhe gatishmërinë e hapur të Serbisë për të pranuar realitetin dhe partneritetin me shtetin e Kosovës”, tha ai.

Show More

Related Articles

Back to top button