Qysh në orët e mëngjesit të 22 gushtit, Greqia vazhdoi luftën ndaj zjarreve në rritje, që morën jetën e dy personave dhe detyruan shumë të tjerë të evakuoheshin. Kjo është vala e dytë vdekjeprurëse e zjarreve masive brenda vetëm një muaji, transmeton REL.
Zjarret vazhduan të digjen në mënyrë të pakontrollueshme në pjesën verilindore të Greqisë, ishujt Evia dhe Kythnos, si dhe rajonin e Beoetia në veri të Athinës. Zjarret janë shpërndarë në mënyrë të shpejtë shkaku i erërave të forta dhe temperaturave deri në 41 gradë Celsius.
“Ka nëntë fronte aktive… situata është e ngjashme me atë gjatë korrikut”, tha një zëdhënëse e departamentit të zjarrit për agjencinë e lajmeve AFP, duke iu referuar zjarreve që lanë pesë persona të vdekur gjatë korrikut.
Në orët e vona të mbrëmjes së 21 gushtit u vendos që banorët e zonave të rrezikuara të evakuoheshin në spitalin e Alexandroupolis, një qytet në verilindje të Greqisë ku zjarret po vazhdojnë për të katërtën ditë radhazi.
Roja bregdetare tha se kishte zhvendosur 65 pacientë në një traget në portin e qytetit.
Në ishullin Evia, pranë kryeqytetit grek, zyrtarët evakuuan banorët në qytetin industrial Nea Artaki, ku zjarri dëmtoi fermat e shpendëve dhe derrit.
Flakët kërcënuan edhe parkun kombëtar Dadia, ku u gjet trupi i një burri që besohet se ishte një emigrant i padokumentuar.
Një bari i moshuar gjithashtu u gjet i vdekur në rajonin e Boeotia më herët më 21 gusht.
Dadia është një nga zonat më të rëndësishme të mbrojtura në Evropë, pasi që ofron një habitat ideal për zogjtë e rrallë dhe është shtëpia e të vetmes popullsi shumuese të shkabave të zeza në Ballkan.
Bashkimi Evropian njoftoi se do të dislokonte dy avionë zjarrfikës nga Qipro dhe një ekip zjarrfikës rumun nëpërmjet mekanizmit të mbrojtjes civile të bllokut evropian.
Temperaturat shumë të nxehta dhe kushtet e thata që rrisin rrezikun nga zjarret do të vazhdojnë deri të premten, sipas meteorologëve.
Mes një valë të të nxehtit, një zjarr që filloi më 18 korrik dhe u ndez nga erërat e forta shkatërroi pothuajse 17.770 hektarë brenda dhjetë ditëve në pjesën jugore të Rodosit – një ishull i njohur turistik në Detin Egje juglindor.
Rreth 20.000 njerëz, kryesisht turistë, u detyruan të evakuoheshin.