Partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Alanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kanë kritikuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë (MASHTI) dhe Qeverinë e Kosovës lidhur me planin e ri të shpërndarjes së teksteve shkollore për fëmijët.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se pas dyshimeve për dallavere me rezervat shtetërore dhe çështjen që librat shkollorë të blihen nga prindërit, nëpërmjet rimbursimit nga shteti, “Qeveria Kurti duhet të shkarkohet sa më shpejt”.Në një konferencë për media të martën, ai ka thënë se qysh në fillim të shtatorit, do të synojnë një seancë të jashtëzakonshme me pikë të parë të rendit të ditës mocionin për shkarkim.“Kjo qeveri e ka humbur rrugën, duhet që sa më shpejt të shkarkohet”, ka thënë ai.Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar që ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, të japë dorëheqje, pas mosblerjes së librave shkollorë.Anëtarja e Kryesisë së kësaj partie, Jehona Lushaku, tha se Ministria e dorëzuar ka treguar paaftësi pasi Qeveria ka vendosur që përgjegjësinë e blerjes së librave t’ua bartë prindërve.Lushaku në një konferencë për media të martën tha se varianti i Nagavcit për blerjen e librave do të jetë më i kushtueshëm, pasi siç tha ajo, kjo do të dëshmohet nga blerja me pakicë.“Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të ministres Nagavci për shkak të keqmenaxhimit, shkeljeve sistematike të ligjeve në fuqi dhe anarkisë së krijuar në sistemin e arsimit. Kosova nuk meriton një ministre që ka dështuar të menaxhojë çdo nivel të arsimit. Një ministre dhe një Qeveri e tillë është e dëmshme për Kosovën prandaj ikja e saj do të duhej të bëhej menjëherë”, tha ajo.Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI) po e shqyrton mundësinë t’ua transferojë paratë prindërve në mënyrë që ata t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor.