Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka komentuar takimin mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ajo ka thënë se ka shumë mundësi që Vuçiqi është pajtuar ta takojë Zelenskyn që të ushtrojë presion mbi Ukrainën që të mos e njohë Kosovën. Ajo ka hedhur dyshime se presidenti serb i ka ofruar armë Zelenskyt në këmbim të mosnjohjes së Kosovës.
Von Cramon ka deklaruar se shpreson që Zelensky e kupton rrezikun politik nëse arrihet një marrëveshje e tillë.
Sipas saj, pavarësia dhe stabiliteti i Kosovës janë në interes të Ukrainës gjithashtu.
“Ka shumë të ngjarë që Vuçiqi ka pranuar ta takojë Zelenskyn, që të ushtrojë presion mbi Ukrainën: armë për të mos e njohur Kosovën. Shpresoj që Zelensky e kupton se çfarë rreziku politik mund të sjellë një marrëveshje e tillë. Pavarësia dhe stabiliteti i Kosovës janë gjithashtu në interes të Ukrainës”, ka shkruar ajo.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Greqi.
Vuçiqi pas takimit ka thënë se Greqia dhe Ukraina nuk do ta ndryshojnë qëndrimin ndaj Kosovës.
Deputeti i Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko ka thënë se Ukraina nuk duhet të bëjë kompromis me parimet e saj dhe duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës.