BotaLajme

Rusia dhe Ukraina, sulme me dronë ndaj njëra-tjetrës

Rusia dhe Ukraina kryen sulme të ndërsjella me dronë të mërkurën, njoftuan autoritetet. Kievi duket se kishte sërish objektiv Moskën me sulmet e tij ndërsa trupat e Kremlinit kryer sulme të reja ndaj depove të grurit ukrainas, në atë që së fundmi është bërë taktika kryesore e rusëve në luftën pothuajse 18-mujore.

Një sulm me dronë prej gati tre-orësh gjatë natës nga Rusia në rajonin jugor të Odesës të Ukrainës, shkaktoi zjarr në objektet e depozitimit të grurit, shkruante kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Odesës, Oleh Kiper në një postim në rrjetin Telegram.

Sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase rrëzuan nëntë drone Shahed, tha ai.

“Për fat të keq, po goditen objektet e prodhimit dhe të transportit të grurit,” tha ai, duke shtuar se nuk kishte njoftime për viktima.

Rusia hyri në Odesa muajin e kaluar, duke dëmtuar pjesë të konsiderueshme të objekteve të drithit në qytetin port, disa ditë pasi Presidenti Vladimir Putin njoftoi tërheqjen nga marrëveshje që e lejonte Ukrainën të eksportonte grurë përmes porteve në Detin e Zi.

Marrëveshja bëri të mundur që eksportet e Ukrainës të arrinin në shumë vende që përballeshin me kërcënimin nga uria.

Zyrtarët rusë, ndërkohë thanë se kishin rrëzuar dronë ukrainas në Moskë dhe rajonin përreth, të mërkurën herët.

Nuk ka njoftime për viktima nga sulmi me dron. Sulme të tilla janë bërë thuajse të përditshme në kryeqytetin rus.

Kryebashkiaku i Moskës Sergey Sobyanin tha se një dron u përplas në një godinë që po ndërtohej në Moskë, një kompleks biznesi prestigjioz që është goditur nga sulmet me dronë edhe dy herë të tjera. Dëme pati edhe në dy ndërtesa aty pranë dhe në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e urgjencës.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë fajësoi Ukrainën për sulmin dhe tha se dy drone të tjerë u rrëzuan nga sistemet e saj të mbrojtjes ajrore në zonat Mozhaisk dhe Khimki të rajonit të Moskës. Zyrtarët e Kievit, si zakonisht, as konfirmuan dhe as mohuan se pas këtyre sulmeve qëndron Ukraina.

Aeroportet e Moskës u mbyllën për pak kohë, por tani janë rihapur, sipas mediave shtetërore ruse.

Agjencia e lajmeve Associated Press nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur pretendimet e asnjërës palë.

Që nga fillimi i këtij viti, Ukraina ka synuar që lufta të ndihet në zemër të Rusisë. Ajo ka pasur si objektiv gjithnjë e më shumë asetet ushtarake të Rusisë dhe në të njëjtën kohë ka kryer sulme me dronë kundër Moskës.

Kievi po përpiqet të vazhdojë trysninë mbi Kremlinin në shumë fronte, duke vazhduar kundër ofensivën në pika të ndryshme përgjatë vijës së frontit prej 1500 kilometrash, si dhe në mënyrë diplomatike duke siguruar premtime për marrjen e më shumë armatimeve nga aleatët perëndimorë të Ukrainës, përfshirë avionët luftarakë F-16.

Ndërkohë, tre persona u vranë në rajonin Belgorod të Rusisë në kufirin ukrainas pas sulmeve me bomba në qendrën shëndetësore të fshatit Lavy, njoftoi guvernatori Vyacheslav Gladkov.

Të mërkurën, Ukrainën e vizituan presidentët e Portugalisë, Finlandës dhe Lituanisë. Prania e tyre përkoi me Ditën e Flamurit Kombëtar të Ukrainës, e cila i paraprin Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, të enjten.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, së bashku me komandantin e përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valerii Zaluzhnyi dhe zyrtarë të tjerë të lartë, morën pjesë në një ceremoni në Kiev ku u shpalos një flamur gjigant ukrainas me nënshkrime të shumta ushtarësh, vullnetarësh, mjekësh dhe anëtarëve të ekipeve të shpëtimit.

Show More

Related Articles

Back to top button