BotaLajme

Debati i parë i kandidatëve republikanë për zgjedhjet presidenciale 2024

Kandidatët republikanë që po përpiqen të fitojnë emërimin e Partisë Republikane për të kandiduar për president të Shteteve të Bashkuara, zhvilluan debatin e parë mbrëmjen e së mërkurës duke kritikuar ashpër Presidentin Joe Biden për çëshjte si ekonomia dhe shpenzimet e tepruara qeveritare, siç u shprehën ata.

Në debat nuk mori pjesë ish-Presidenti Trump i cili kryeson garën republikane. Mungesa e tij do të jetë një provë vendimtare për guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, i cili nuk ka mundur të rrisë mbështetjen pavarësisht se rënditet i dyti pas zotit Trump.

 “Vendi ynë është në rënie”, tha guvernatori i Floridës Ron DeSantis i cili u duartrokit nga të pranishmit.

Ndërsa kanë mbetur më pak se pesë muaj nga fillimi i procesit të përzgjedhjes së kandidatit republikan për president, debati është një mundësi kritike që kandidatët të prezantohen përpara miliona votuesve.

Ndërsa guvernatori i Floridës Ron DeSantis pritej të ishte objektivi kryesor i sulmeve, kandidatët i përqendruan sulmet e tyre ndaj sipërmarrësit Vivek Ramaswamy, mbështetja ndaj të cilit ka filluar të rritet.

“Nuk është koha për të trajnuar dikë në detyrë. Nuk kemi nevojë të sjellim njerëz pa përvojë”, tha ish-Zëvendëspresidenti Mike Pence, i cili e hapi debatin me një notë të zjarrtë ndërsa u përpoq të pozicionohej si kandidati më me përvojë.

Në qendër të debatit ishte kandidati 38-vjeçar Vivek Ramaswamy, i cili disa muaj më parë nuk pritej të arrinte në këtë fazë.

Megjithëse shumë prapa zotit Trump në sondazhe, zoti Ramaswamy e ka ngushtuar diferencën me guvernatorin e Floridës Ron DeSantis.

Zoti Ramaswamy tha se nuk ishte një politikan i zakonshëm duke deklaruar se, “Unë jam i vetmi person në skenë që nuk blihem dhe nuk paguhem”.

Ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, e sulmoi zotin Ramaswamy duke thënë, “Mjaft me dikë që tingëllon si ChatGPT”, duke shtuar se fjalimi hapës i zotit Ramaswamy si një djalë i dobët me një emër të vështirë për t’u shqiptuar i kujtoi atij ish-Presidentin Barack Obama.

Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, e kritikoi argumentin e zotit Ramaswamy se Uashingtoni nuk duhet të mbështesë Ukrainën kundër agresionit rus. “Nën drejtimin tuaj, do ta bënit Amerikën më pak të sigurt. Ju nuk keni përvojë në politikën e jashtme dhe kjo duket”, tha zonja Haley, duke e shikuar në sy zotin Ramaswamy.

Lidhur me situatën me të cilën përballet zoti Trump me drejtësinë amerikane, zoti Ramaswamy tha se nëse do të zgjidhej president ai do ta falte atë. Zoti Christie, një ish-prokuror, reagoi në mënyrë agresive pavarësisht se u kundërshtua nga audienca e zëshme.

Zoti Pence gjithashtu refuzoi të thoshte nëse do ta falte zotin Trump nëse ai dënohet. Ai tha se do ta shqyrtonte mundësinë në baza të drejta.

Zoti DeSantis u tregua më i kujdesshëm. Ai nuk foli për aktakuzat ndaj zotit Trump. Përkundrazi, ai bëri thirrje për dhënien fund të politizimit të Departamentit të Drejtësisë.

Kandidatët republikanë në përgjithësi u pajtuan se zoti Pence bëri gjënë e duhur më 6 janar 2021 duke mos zbatuar kërkesën e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Show More

Related Articles

Back to top button