Zëvendëskryetari i Qeverisë i angazhuar për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi dhe ish-kryeministri Zoran Zaev, sipas agjendës zyrtare, do të jenë pjesë e konferencës së “Ekonomist”-it, përkatësisht tryeza e 26-të e rrumbullakët me Qeverinë greke, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Konferenca treditëshe që tradicionalisht çdo vit mbahet në Athinë fillon sot në mëngjes me fjalimin e presidentes së Greqisë, Katerina Sakelaropolu, presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski dhe presidentja e Moldavisë, Maja Sandu.
Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, së bashku me kryeministrat e Malit të Zi dhe Kosovës, Dritan Abazoviq dhe Albin Kurti, si dhe përfaqësuesin e posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sër Stjuart Piç dhe ish-shefin e diplomacisë greke,. Jorgos Katrugalos, sot do të diskutojnë për Evropën Juglindore dhe nëse mund të ekzistojë stabilitet dhe prosperitet në rajon.
Energjetika do të jetë temë kryesore e diskutimit të titulluar “Dekarbonizimi i Evropës Juglindore dhe Mesdheut Lindor”, në të cilin nesër, sipas agjendës zyrtare, do të marrë pjesë zëvendëskryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, i angazhuar për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi.
Së bashku me Bytyqin do të jetë edhe ministri grek i Mjedisit Jetësor dhe Energjetikës, Kostas Skrekas, si dhe liderë afaristë.
Në konferencën vjetore të Ekonomist-it, që filloi sot në mëngjes dhe do të zgjasë deri të enjten, do të marrin pjesë ministra, ish-ministra dhe presidentë, akademikë, si dhe përfaqësues të komunitetit afarist.