LajmeMaqedoniRajon

Ballkani Perëndimor drejt limiteve kritike për popullsinë

Në Ballkanin Perëndimor tkurrjen më të madhe pritet ta pësojë Serbia, ku popullsia do t’i zvogëlohet me 18.9%, e ndjekur nga Bosnjë dhe Hercegovina me një reduktim prej 18.2%. Shqipëria ndodhet brenda dhjetëshes së parë me një popullsi që do të tkurret gjithsej me 15.8%. Maqedonia e Veriut, do të pësojë një reduktim prej 10.9%

 Nëse projeksionet e Kombeve të Bashkuara për popullsinë në botë gjatë tre dekadave të ardhshme janë optimiste për disa kontinente, Ballkani renditet tek zonat kritike ku numri i popullsisë pritet të pësojë rënie të ndjeshme. Në Ballkanin Perëndimor tkurrjen më të madhe pritet ta pësojë Serbia, ku popullsia do t’i zvogëlohet me 18.9%, e ndjekur nga Bosnjë dhe Hercegovina me një reduktim prej 18.2%. Edhe Shqipëria ndodhet brenda dhjetëshes së parë nga fundit, ku supozohet se në tre dekada, popullsia do të tkurret gjithsej me 15.8%. Maqedonia e Veriut, do të pësojë një reduktim prej 10.9%. Emigrimi, ulja e numrit të lindjeve…, janë disa nga faktorët që po e bëjnë të pakthyeshëm trendin negativ të rritjes natyrore të popullsisë. Nëse i referohemi të dhënave zyrtare gjatë vitit 2022 Maqedonia e Veriut ka vijuar me raportin e zhdrejtë mes lindjeve dhe vdekjeve në vend, me gjithsej mbi 18 mijë lindje, ndërsa numri i vdekjeve ishte më i madh – mbi 22 mijë. “Sipas vlerësimit të fundit të popullsisë (më 31.12.2022), në RMV ka 1.829.954 banorë, që është 232.340 banorë ose 11.3% më pak krahasuar me vlerësimin e popullsisë në vitin 2012 dhe 245 347 persona ose 11.8% më pak krahasuar me 2017. Për sa i përket strukturës moshore popullsia po plaket. Në periudhën 2012-2022 pjesëmarrja e popullsisë së vjetër (65 e lart) u rrit nga 11.9% në 17.7%. Në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2022, numri i lindjeve është ulur për 5.495, dhe lindshmëria është ulur nga 11.4 ‰ në 9.9 ‰ (lindje për 1,000 banorë)”, thuhet në publikimin më të fundit të ESHS.

Jo vetëm Maqedonia, por edhe vendet e tjera të Ballkanit po i afrohen vendeve të tjera evropiane sa i takon moshës mesatare, ku në vendet e BE në vitin 2022 ishte 44.4 vjeç, një rritje prej gati gjashtë vjetësh, krahasuar me shifrat e 20 viteve më parë. Pavarësisht rritjes absolute të popullsisë në 17 shtete anëtare të BE-së, shtatë vende ndjekin trendin e kundërt, duke përfshirë ulje të ndjeshme në Itali, Poloni, Greqi dhe Kroaci. Italia kishte moshën mesatare më të lartë në mesin e vendeve anëtare me 48 vjeç, Qiproja mbeti në fund me 38.3 vjet. Mesatarisht, rajoni si i tërë mendohet se do të bjerë me rreth 15% më pak popullsi, duke marrë parasysh rënien individuale të shteteve.

Sa i takon Ballkanit në total vende si Bullgaria gjenden në top listë, popullsia e së cilës pritet të reduktohet deri në vitin 2050 me mbi 22 për qind, që do të thotë se gjatë tre dekadave të ardhshme vetëm 75% e numrit aktual të bullgarëve që jetojnë brenda territorit, do të jetojnë ende aty. Në shifra të ngjashme është edhe Kroacinë, të cilën viti 2050 do ta kapë me 18% të popullsisë më pak. Vendet baltike janë po ashtu të prekura, duke parë se lart në renditjen për së prapthi radhiten Lituania dhe Letonia, me respektivisht rënie popullsie prej 22.1 dhe 21.6%. Ukraina po ashtu pritet të bjerë me 19.5% të popullatës në 30 vitet e ardhshme, ndërsa Moldavia me 16.7% më pak. Nga vendet e Evropës perëndimore, Portugalia kryeson listën negative me 10.9% rënie të pritshme, kur Italia do të kapë shifrën e 10.1%. \koha.mk\

Show More

Related Articles

Back to top button