Trupi gjykues në rastin kundër Pjetër Shalës ka refuzuar pesë dëshmitarë që mbrojtja kishte parashikuar të japin dëshmi në këtë çështje gjyqësore. Kjo është bërë e ditur në konferencën përgatitore për mbrojtjen që është mbajtur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia, ka thënë se paraqitja e provave nga mbrojtja e Shalës do të fillojë më 18 shtator 2023.
“Trupi gjykues urdhëron heqjen e dëshmitarëve të mëposhtëm nga lista e dëshmitarëve të mbrojtjes, këta dëshmitarë janë 4454, dëshmitari i dytë është 404, dëshmitari i tretë është dëshmitari 2517, dëshmitari i katërt është 2549 dhe dëshmitari i fundit është 4751. Në pajtim me rregullën 119 paragrafi 3 i rregullores”, ka thënë Foglia.
Në një pjesë të arsyetimit të këtij urdhri, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun apo është transmetuar me përmbajtje të redaktuar.