LajmeRajon

Hakan Fidan: Asnjë mënyrë tjetër nuk mund të jenë alternativë e Iniciativës së Drithërave të Detit të Zi

Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiyes, Hakan Fidan, tha se asnjë opsion tjetër nuk mund të jetë alternativë ndaj Iniciativës së Drithërave të Detit të Zi pasi ato mbartin rreziqe, raporton Anadolu.

“Ne e dimë se aktualisht po kërkohen mënyra alternative për eksportin e drithërave. Megjithatë, ne shohim gjithashtu se këto mënyra nuk mund të jenë një alternativë ndaj nismës origjinale dhe përmbajnë rreziqe”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij ukrainas Dmytro Kuleba në Kiev.

Kryediplomati turk u shpreh se Türkiye vazhdon përpjekjet e saj për të ringjallur marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi përpara se të humbasin përfitimet nga kjo marrëveshje, duke theksuar se falë kësaj nisme, më shumë se 33 milionë tonë drithëra dhe produkte ushqimore arritën në tregjet ndërkombëtare.

“Kjo është arsyeja pse ne do të vazhdojmë të angazhohemi në dialog me të gjitha palët në të gjitha nivelet”, shtoi ai.

Më 17 korrik, Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi, të ndërmjetësuar nga Türkiye dhe OKB-ja, marrëveshje e cila parashikonte rifillimin e eksporteve të grurit nga tre porte ukrainase të Detit të Zi që u ndaluan pas luftës në Ukrainë në shkurt 2022.

Moska zyrtare është ankuar vazhdimisht se Perëndimi nuk i ka përmbushur detyrimet e veta në lidhje me eksportet e drithërave të Rusisë. Rusia konsideron se kufizimet në pagesat, logjistikën dhe sigurimet kanë qenë një pengesë për dërgesat e saj.

Ankaraja ka bërë përpjekje intensive për rivendosjen e marrëveshjes së korrikut të vitit të kaluar dhe gjithashtu i ka bërë thirrje Kievit dhe Moskës që t’i japin fund luftës përmes negociatave.

Show More

Related Articles

Back to top button