Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është takuar me homologun kosovar Albin Kurti në Slloveni. Pas shtrëngimit të duarve ata janë ulur pranë në darkën e punës së kryeministrit të Sllovenisë dhe shihen teksa bisedojnë edhe me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Ky është ballafaqimi i parë mes dy kryeministrave që prej fillimit të tensioneve në veri në fund të muajit maj.
Kujtojmë se marrëdhënia mes Kurtit dhe Ramës kanë qenë mjaft e tensionuar dhe të dy kanë shkëmbyer replika në distancë. Kurti refuzoi ta takojë kur Rama shkoi në Prishtinë për ta njohur me draftin për asociacionin e komunave në veri të cilin ia kishte prezantuar kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit të Francës Emanuel Macron
Rama tha se nuk kishte asgjë personale, por nuk pajtohej me qëndrimet politike që Kurti mbante për situatën në veri, për të cilën kryeministri kosovar u kritikua edhe nga BE e SHBA.
Rama anuloi mbledhjen e dy qeverive që do mbahej në Prishtinë, ndërsa Kurti e refuzoi në 3 thirrje për takim. Së fundmi kreu i qeverisë shqiptare i bëri thirrje që të firmosej plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe i Kosovës, Albin Kurti, ndodhen në Slloveni në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023. Ata ka marrë pjesë në darkën e punës së ftuar nga kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob, me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, e me kolegët e rajonit në vigjilje të Forumit Strategjik të Bledit që mbahet sot.
Rama ka udhëtuar dje për në Slloveni për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, ku sot do të jetë pjesë e një paneli të diskutimit së bashku me liderë të rajonit, si dhe do të zhvillojë disa takime bilaterale.