LajmeRajon

Arrin në 21 numri i të vdekurve nga zjarret në Greqi

Pranga 79 zjarrvënësve, disa u kapën në flagrancë

Thellohet në 21 viktima bilanci tragjik i të vdekurve nga zjarret në Greqi.

Një tjetër trupi i shkrumbuar u gjet në pyllin e Dadias në rajonin lindor të Evrosit, ku zjarret vijojnë prej 7 ditësh. Trupi mendohet se i përket një emigranti të jashtëligjshëm, pasi nuk ishte raportuar i zhdukur.

Shumica prej 18 trupash të pajetë të emigrantëve të paligjshëm në këtë rajon, disa prej të cilëve fëmijë, u zbuluan të martën, një ditë pasi u gjet trupi i parë. Një viktimë kanë shënuar edhe vatrat në periferi të Athinës.

Për shuarjen e flakëve në rajonin e Evrosit po ndihmojnë edhe 50 zjarrfikës nga Shqipëria. Siç e përshkruan edhe agjencia e lajmeve Reuters, pyjet e dendur të kësaj zone kanë qenë prej vitesh një prej rrugëve më të shfrytëzuara nga emigrantët e jashtëligjshëm nga Azia, drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Ndërkaq, qeveria greke ka nisur një operacion të gjerë kundër zjarrvënësve. Siç njoftoi ministri i Mbrojtjes Civile Vasilis Kikiljas, numri i të arrestuarve ka arritur në 79, ndër të cilët disave iu vunë prangat në flagrancë teksa përpiqeshin të ndiznin të tjera vatra në malin Parnitha, në veri-perëndim të Athinës.

Show More

Related Articles

Back to top button