LajmeRajon

Kurti: Procesi i Berlinit është i nevojshëm për integrimin në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se zgjidhja për Ballkanin Perëndimor është Bashkimi Evropian dhe se drejt arritjes së këtij qëllimi duhet, siç e quajti ai, Procesi i Berlinit 2.0.

Kurti mori pjesë në panelin me temën: “Evropa juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”, organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe “The Economist”, që u mbajt në Greqi.

Ai ka tha se ka shpresa të mëdha që Procesi i Berlinit të riniset nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

“Unë besoj se me presidentin [e Shteteve të Bashkuara, Joe] Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe me kancelarin Scholz në Berlin ne mund të ringjallim urën transatlantike, e cila në shekullin 21 është edhe më e rëndësishme sesa në shekullin e 20-të. Procesi i Berlinit 2.0, nëse mund ta quajmë kështu, mund të sjellë një valë që mund t’i shtyjë përpara të gjitha anijet në Ballkanin Perëndimor, kryesisht disa nisma, programe në modeluara sipas EFTA EEA, diçka të ngjashme sikurse Norvegjia, Litenshtajni, Zvicra dhe Islanda kanë me BE-në, komitete dhe këshilla të përbashkët, mekanizma të vëzhgimit, gjykatë të përbashkët me BE-në si vlerë dhe mekanizëm, jo jashtë BE-së”, tha Kurti gjatë diskutimit në këtë panel.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë: Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.

Kancelari Scholz më herët ka bërë të ditur, se synon që ta ringjallë këtë proces, duke thirrur një takim në Berlin më vonë gjatë këtij viti.

Kosova ka mirëpritur këtë paralajmërim të Gjermanisë, teksa kundërshton nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, ku aktualisht bëjnë pjesë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Kurti gjatë panelit në Greqi, përsëriti qëndrimin se gjatë këtij viti Kosova do të aplikojë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke thënë se nëse të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor futen brenda BE-së, kjo do të ishte një barrë më e vogël për bllokun evropian.

“Nëse Ballkani Perëndimor vazhdon të qëndrojë jashtë BE-së do të bëhet shumë atraktive për t’u shndërruar në fushëbetejë për superfuqi të ndryshme dhe askush nuk e do këtë. Kam shpresë se gjërat do të ndryshojnë për të mirë”, tha Kurti.

Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi kanë hapur disa kapituj për anëtarësim në BE, teksa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ende po presin që të hapin negociatat për anëtarësim. Ndërkaq, Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova janë të fundit nga shtetet e rajonit, sa i përket rrugës së tyre drejt anëtarësimit në BE./REL

Show More

Related Articles

Back to top button