GostivarLajme

Gostivari nikoqir i finales së Kupës Ballkanike të Shigjetarisë

Në parkun e madh në Gostivar ka nisur gara finale në “Kupën Ballkanike të Shigjetarisë – Tozkoparan Iskender”, ku marrin pjesë garues nga shtatë vende të Ballkanit, respektivisht nga Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia. Ngjarja organizohet nga Instituti “Yunus Emre” dhe Fondacioni Turk i Harkëtarëve. Gara zhvillohet në kategori për femra dhe meshkuj. Evenimenti është vizituar nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari i cili me plis të bardhë në kokë ku ishte i ngjitur flamuri i Kosovës, e provoi gjuajtjen me hark. Pasi uroi pjesëmarrësit në garë, ai theksoi se përmes kësaj ngjarjeje rigjallërohet qyteti ynë.

“Kënaqësi që këtë vit të organizohet në Gostivar Kupa Ballkanike e shigjetarisë, organizuar nga Shoqatës jo qeveritare kulturore ‘Junus Emre’. Ato zakonisht qarkullojnë në qytete të ndryshme, këtë vit kanë vendosur të vijnë në Gostivar dhe natyrisht erdha t’i vizitojë dhe shoh si shkojnë garat. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë dhe të fitojë më i miri dhe shigjetari më i mirë të del fitues”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.

Ataullah Bajram nga Instituti “Yunus Emre”, theksoi se kjo garë ka vite që organizohet nëpër qytete të ndryshme ballkanike, kurse sivjet vjen në Gostivar. Ai tha se gara do të mbyllet me një koncert në mbrëmje ku garuesve do t’u ndahen edhe kupat.

“Ne si Institut i ‘Junuse Emre’, është hera e dytë që e organizojmë “Kupën Ballkanike të Shigjetarisë – Tozkoparan Iskender”. Këtë vit kemi ardhur në qytetin e Gostivarit, ndërsa vitetet tjera besoj se do të shkojmë edhe nëpër qytete tjera të Maqedonisë. Kjo garë ka të bëjë me shigjetarinë dhe në të njejtën kohë në këto vise prezentojmë kulturën dhe traditën turke dhe mënyrën e jetesës nga kohrat e lashta të turqve”, deklaroi Ataullah Bajram nga Instituti “Junus Emre”.

Në garë merrnin pjesë katër garues nga Kosova nga klube të ndryshme të shigjetarisë, mesin e tyre Albina Zekaj dhe Granit Bajrami.

“Jam Albina Zekaj dhe vijë nga Kosova, jemi nga Istituti ‘Junus Emre’ dhe klubi ‘Dardania’. Ka qenë kënaqësi shumë e madhe të marrësh pjesë në këtë garë pasi shigjetari është një nga hobit që mundet ta ketë njeriu dhe është shumë e mirë, ndjenë kënaqësi dhe çdo stres mundet ta largosh me të”, deklaroi një garuese nga Kosova e cila kishte katër muaj që merrej me shigjetari.

“Unë jam Granit Bajrami dhe vijë nga qyteti i Prishtinës në Kosovë. Përfaqësojmë klubin ‘Dardania’ i cili tani shpejtë është krijuar. Kemi ardhur për të marrë pjesë në gara, kemi kënaqësi shumë të madhe dhe shpresojmë të kalojmë mirë. Uroj të sjellim diçka të re në vendin tonë pasi ky është një sport i cili te ne i ka hapat e fillimit, por interesimi është i madh për të”, deklaroi ky garues nga Kosova.

Nga Shqipëria kishin ardhur shtatë garues, tha Bujar Dani, i cili sqaroi se janë përgatitur me muaj të tërë për këtë eveniment.

“Jemi këtu në këtë garë për të kaluar bukur me kolegët tanë të ‘Junus Emre’ nga i gjithë Ballkani. Shpresojmë të marrim pikët e merituara, jemi stërvitur dhe fitoft më i miri. Shqipëria ka shtatë pjesëmarrës këtu, pesë djem dhe dy vajza, katër janë nga Shkodra dhe tre nga Tirana”, deklaroi Bujar Dani i cili vinte nga qyteti i Shkodrës në Shqipëri.

Garën e cila zhvillohet nën qiell të hapur te parku i madh i qytetit, kanë mundësi ta ndjekin edhe qytetarët e Gostivarit dhe njëkohësisht të vizitojnë shtëpizat tradicionale turke.

Show More

Related Articles

Back to top button