LajmeRajon

Kurti: Varret e hapura presin të vërtetën, ndërkombëtarët ta rrisin presionin mbi Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të rrisin presionin ndaj Serbisë, për të zbardhur fatin e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se drejtësia duhet të vihet duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime.

“Pas rënies së Millosheviqit, në Serbi u zbuluan pesë varreza të mëdha masive, me gjithsej 950 njerëz tonë të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak. Serbia ende vazhdon të qëndrojë mbi varre masive teksa i mohon ato. Sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tonë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime”, ka shkruar Kurti.


Tutje Kurti ka përmendur disa nga punët që kanë bërë për të zbuluar fatin e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovës.

Ka përmendur themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ndryshimet në legjislacion që autoritetet e Kosovës të ndjekin dhe të dënojnë kryerësit e krimeve të luftës në mungesë e shtimin e buxhetit për 50 pozita për Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor të Kosovës.

Postimi i plotë:

Varret e hapura në Kosovë presin të vërtetën.

Pesha e mungesës rëndon mbi familjet e 1617 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Nënat presin ditën kur do të vendosin nga një lule në kujtim të më të dashurve të tyre. Atyre që u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse dhe ekzekutore.
Pas rënies së Millosheviqit, në Serbi u zbuluan pesë varreza të mëdha masive, me gjithsej 950 njerëz tonë të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak. Serbia ende vazhdon të qëndrojë mbi varre masive teksa i mohon ato.

Sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tonë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime.

Me angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës, ne po vazhdojmë punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve.

Si zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi, po themelojmë Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Me ndryshimet që kemi bërë në legjislacionin përkatës, institucionet tona të drejtësisë mund të ndjekin dhe të dënojnë kryerësit e krimeve të luftës në mungesë, kudo që ata janë.
Për të rritur kapacitetet për të trajtuar krimet e luftës, kemi shtuar buxhetin për 50 pozita për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Ndërsa në Policinë e Kosovës, nga një sektor, kemi ngritur Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës që do të ketë 41 hetues.

Show More

Related Articles

Back to top button