LajmeRajon

Kumbaro: Numri i turistëve serbë në Shqipëri është rritur për 110 për qind

Ministrja e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit e Serbisë, Tatjana Matiq, foli në Beograd më 5 korrik me ministren e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro Furxhi, për përmirësimin e bashkëpunimit dhe performancës në tregjet e përbashkëta.

Në një fjalim para gazetarëve, Kumbaro-Furxhi tha se nga viti 2019 deri në vitin 2021, numri i turistëve serbë në Shqipëri është rritur me 110 për qind.

“Është rezultat i komunikimit më të mirë brenda Ballkanit të Hapur, i cili krijon frymën e komunikimit që është e nevojshme [për bashkëpunim]”, tha ajo.

Duke folur për sezonin e sivjetshëm në Shqipëri, ajo theksoi se në katër muajt e parë, numri i turistëve nga e gjithë bota është rritur me 55 për qind dhe numri i turistëve nga Serbia me 29 për qind.

Ajo tha se viti 2019 ishte viti më i mirë turistik në të cilin erdhën në Shqipëri rreth 6.4 milionë turistë, përfshirë edhe ata nga rajoni.

Ministrja e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit e Serbisë, Tatjana Matiq, tha se performancat e përbashkëta të Serbisë dhe Shqipërisë në fushën e turizmit do të kontribuojnë në rritjen e numrit të turistëve në rajonin e Ballkanit.

“Ne folëm për përmirësimin e bashkëpunimit dhe performancës në tregjet e përbashkëta, në tregun kinez dhe tregjet e mëtejshme në Azi”, tha Matiq.

Dy ministret diskutuan edhe për problemet me të cilat përballet rajoni, mungesën e kapaciteteve njerëzore, si dhe projektin që lidhet me dixhitalizimin e ofertës turistike.

“Dëshirojmë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të na bashkohen në këtë projekt, në mënyrë që të kemi një platformë të përbashkët dixhitale në kuadër të nismës Ballkani i Hapur”, tha Matiq.

Ajo tha se Serbia këtë vit ka shënuar rritje të numrit të turistëve vendas dhe të huaj. Në katër muajt e parë ka pasur rreth 60 për qind më shumë turistë, pra ka pasur mbi 1.7 milionë turistë të huaj.

Show More

Related Articles

Back to top button