Në kuadër të 30 gushtit (Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve), Autoriteti i Dosjeve ka mbajtur në Shkodër një takim për konsultimin e draft-ligjit për gjetjen e eshtrave të të zhdukurve.
Gjatë takimit u përmend nevoja për përpunimin e një qasjeje të duhur të draft-Vendimit të Këshillit të Ministrave për të zhdukurit.
Kjo e fundit, do të mundësojë në praktikë realizimin e hapave themeltar të identifikimit të vendvarrimeve të dyshuara dhe të qartësimit të fatit dhe rikuperimit të eshtrave të personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri.
Drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve Gentiana Sula, deklaroi se ky proces është tejet i vonuar.
“Autoriteti duke marrë kompetenca shtesë me ndryshimet ligjore është në gjendje tashmë të bëjë hetime administrative për të verifikuar dyshimet e familjarëve. Shkodra ka pasur disa raportime të rëndësishme në institucionin tonë, është raportimi i shoqatës së ish-të përndjekurve politikë, disa qindra të pagjetur, janë 13 aplikime nga familjarë të cilët kanë dëshmuar që kanë dijeni dhe indicie se ku mund të ndodhen këto vendbanime”.
Të ashtuquajturat “Varrezat e Rrmajit” janë vend-shenjimi i parë ku do të kërkohet për gjetjen e trupave të vrarë dhe të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shkodër.
Kjo, duke avancuar bashkëpunimin e Autoritetit të Dosjeve me Bashkinë Shkodër për rrethimin, ruajtjen dhe vendosjen e tabelës identifikuese si vendvarrim i dyshuar.
Pjesëmarrësit theksuan nevojën e qartësimit të përgjegjësive dhe kompetencave institucionale për urdhërim veprimesh dhe nxjerrje aktesh të tilla si leja e gërmimit, zhvarrimi, leja e varrimit, koordinimin ndërinstitucional, dhe me autoritetet vendore.
Ndër të tjera, kërkohet edhe krijimi i bazës së të dhënave unike, të harmonizuara, për personat e zhdukur, si dhe çështje të tjera që lehtësojnë procesin etj.
Në përfundim, Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, mbajti një takim me Kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci me të cilin diskutoi mbi bashkëpunim për projekte të përbashkëta në fushën e kujtesës dhe të dialogut lokal.
Vendvarrime të tjera, të dyshuara, të raportuara në Shkodër si tek ish-ndërmarrja artistike Shkodër, tek fusha e aviacionit në fshatin Shtoj dhe në Guci, janë tashmë objekt i verifikimit administrativ të nisur.
Shkodra dhe rrethinat e saj janë ndër zonat më të goditura nga diktatura komuniste, qoftë me të dënuar, internuar, ekzekutuar, vrarë në kufi, përballur me sistemin, me gjyqe dhe ekzekutime publike deri në vitin 1990.
Raporti i fundit i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) tregoi se shifrat e zhdukjeve midis viteve 1944 dhe 1991 shkon në rreth 6 mijë persona nga regjimi komunist.
Sipas të dhënave zyrtare, nga kjo shifër rreth 5 mijë e 501 prej tyre janë të dënuar për arsye politike, të cilët u ekzekutuan gjatë kësaj periudhe.