LajmeRajon

Osmani i flet kongresistit amerikan për veriun: Kemi bërë hapa përmbajtjesorë në shtensionimin e situatës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kongresistin dhe kryetarin e Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Turner.

Përmes një komunikate për media, Presidenca njofton se Osmani ka folur edhe për situatën në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit, ku ka thënë se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesorë në shtensionimin e situatës.

“Ndërkaq në raport me situatën në veri të vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor në shtensionimin e situatës dhe se vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces. Por, ka theksuar obstruksionet e Serbisë, si dhe veprimet destabilizuese në veriun e Kosovës nëpërmjet bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi. Ajo ripotencoi rëndësinë e zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit”, thuhet në komunikatë.

Osmani i ka cilësuar si strategjike dhe ekzistenciale raportet mes të dyja vendeve, teksa ka potencuar se shteti i Kosovës është edhe histori suksesi e SHBA-ve.

“Përkushtimi i palëkundur i Shteteve të Bashkuara për kauzën e Kosovës ka qenë i domosdoshëm në rrugëtimin tonë drejt pavarësisë dhe shtetësisë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në takim me kongresistin Tuner, presidentja Osmani ka bërë të ditur se synimi i Kosovës është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si: NATO, BE, Këshilli i Evropës dhe të tjera.

Në raport me bashkëpunimin me SHBA-të, e para e shtetit potencoi atë në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kësisoj, Presidentja Osmani përmendi aspiratën e Kosovës për anëtarësim fillimisht në Partneritet për Paqe (PfP), e pastaj në NATO, ku mbështetja e SHBA-ve është esenciale.

Mëtej, Osmani përmendi faktin se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka bashkëpunim të ngushtë me shërbimet inteligjente të SHBA-ve në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë që mund ta cenojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon.

Show More

Related Articles

Back to top button