BotaLajme

Kolumbi, dy policë të vrarë në një sulm me bombë

Dy efektivë policie u vranë dhe dy të tjerë u plagosën në një sulm me bombë ndaj një automjeti patrullimi që po udhëtonte në rrugën që lidh qytetet Puerto Lleras dhe Fuentedeoro, në pjesën qendrore të Kolumbisë, raporton Anadolu.

Efektivët e plagosur, të cilët gjithashtu ishin në automjet, u ndihmuan nga komuniteti dhe u dërguan në spitalin më të afërt.

Guvernatori i Metas, Juan Guillermo Zuluaga, akuzoi anëtarët disidentë të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), një grup që refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen e paqes me qeverinë në vitin 2016.

“Një sulm tjetër kriminal kundër policëve tanë. Fatkeqësisht, ne kemi dy policë të vrarë dhe dy të plagosur. Në Puerto Lleras, disidentët e FARC-ut aktivizuan një mjet shpërthyes kur po kalonte patrulla. Të njëjtët që flasin për paqen dhe armëpushimin, nuk ndalojnë së vrari dhe frikësuari”, shkroi Zuluaga në X, i njohur më parë si Twitter.

Negociatat nuk kanë qenë të lehta me grupin rebel FARC. Qeveria kolumbiane dhe grupi rebel i majtë kanë pasur një sërë mosmarrëveshjesh.

Në maj, presidenti Gustavo Petro pezulloi marrëveshjen e armëpushimit me disidentët e FARC-ut pas vrasjes së katër të rinjve indigjenë në rajonin Putumayo, të cilët ishin rekrutuar me forcë nga grupi gueril. Adoleshentët arritën të arratiseshin por u kapën dhe u qëlluan në kokë.

“Ne duhet të ndërmarrim një ofensivë shumë të ashpër për të kapur të gjithë këta kriminelë. Nuk mund të vazhdojmë të kemi prerogativa me ata që kërcënojnë jetët e njerëzve, ata që vrasin, ata që rrëmbejnë. E dhimbshme, lista e policëve që masakrohen vazhdon të rritet”, tha Zuluaga.

Show More

Related Articles

Back to top button