
Njëri prej drejtuesve të grupimit të së djathtës ekstreme “Proud Boys” u dënua me 17 vite heqje lirie, masa më e lartë kjo e caktuar deri më tani për trazirat e 6 janarit 2021 në Kongresin Amerikan.
Joe Biggs, mbështetës i ish-presidentit Donald Trump, u shpall fajtor për akuzën e nxitjes së dhunës në Capitol Hill. Pavarësisht se u shfaq i penduar në sallën e gjyqit për veprim e tij, e u lut për butësi, vendimi në fund qe i ashpër për të. Një tjetër anëtar i Proud Boys, u dënua të enjten me 15 vjet burg, gjithashtu me akuzën e komplotit dhe konspiracionit.
Donald Trump ndërkohë përballet edhe vetë me telashe të mëdha ligjore. Ish-presidenti amerikan deklaroi të enjten se është i pafajshëm ndaj akuzave të prokurorëve në shtetin e Xhorxhias, sipas së cilave ai u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në atë shtet.
Deklarimi i pafajësisë u bë me shkrim dhe iu dorëzua Gjykatës së Lartë të Qarkut Fulton në Xhorxhia. Kjo nënkupton që zoti Trump, kandidati kryesor republikan për president për zgjedhjet e vitit 2024, nuk do të paraqitet personalisht në gjykatën e Atlantës javën e ardhshme për t’u përballur me akuzat.
Prokurorja e Qarkut Fulton, Fani Willis, ka përfshirë në akt-padinë e saj ndaj ish-presidentit Donald Trump, 13 akuza për vepra penale, përfshirë për shantazh, presion ndaj zyrtarëve të shtetit shtetërorë për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 në favor të tij, ndërkohë që ishte rivali i tij Joe Biden që fitoi në atë shtet, si edhe dyshime se ka krijuar një listë të rreme zgjedhësish për të minuar certifikimin në kongres të fitores së presidentit Biden.