Zbatimi i marrëveshjes për normalizim të raporteve dhe shtensionimi i situatës në veri pritet të jenë temat kyqe të diskutimit në takimin e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Nga Qeveria thonë se agjenda e takimit të 14 shtatorit do të dihet ditëve në vijim.
Shtatori do t’i ulë sërish përballë njëri tjetrit liderët e dy shteteve që marrëdhëniet vazhdojnë t’i kenë të tensionuara.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 14 shtator do të zhvillojnë takimin e radhës në kuadër të dialogut, por agjenda e tij nuk dihet ende.
Bile ajo nuk është dakorduar akoma, sipas Qeverisë së Kosovës.
“Agjenda e plotë e këtij takimi do të specifikohet dhe dakordohet ditëve në vijim. Për të do të njoftoheni me kohë”, kanë thënë nga Qeveria e Kosovës.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.
Më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.
Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.