Sonte në Gostivar, Aleanca për Shqiptarët mbajti Kuvendin e II – të zgjedhor të Degës së Forumit Rinor (FRASH).
Në kuvend ku ishte prezent edhe kryetari Arben Taravari, kryetari i Kuvendit qendror Ziadin Sela, kryetari i Degës së ASH në Gostivar Gazmend Abdija, deputeti Halil Snopçe, sekretari i Degës dhe kryesuesi i Këshillit komunal Valbon Limani, ministra, funksionarë dhe eksponentë të tjerë, me aklamacion Albion Iseini u zgjodh për kryetar i FRASH-it dega në Gostivar.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar këtij kuvendi të rinisë, kryetari i ASh-së Arben Taravari theksoi se falë Forumit rinor dhe atij të Gruas, ASH në Gostivar vazhdimisht i fiton zgjedhjet. “Falë Forumit rinor ne fituam zgjedhjet me 1000 vota diferencë në 2017, në 2020 në zgjedhjet parlamentare me 3000 vota dhe 5700 në 2021 sërish në zgjedhjet lokale. Ne në Gostivar ende më kujtohet para 24 vitesh kur unë me Halilin e udhëhiqnim RDSH-në, Forumin Rinor të Partisë Demokratike Shqiptare. Si ne, uroj edhe ju të sjellni ndryshimin, të jeni kryetar komune, deputet, drejtor dhe gjithandej ku do ketë nevojë. Unë e di dhe nuk kam dyshim se dhe kjo gjeneratë që tash do zgjidhet te FRASH në Gostivar do jetë edhe më e mirë se e kaluara dhe se Besiri me miqtë e tij do vazhdojë të ju ndihmojë. Ne do vazhdojmë ti japim rëndësinë rinisë”.
Kryetari i Degës së ASH-së në Gostivari, Gazmend Abdija në fjalën e tij drejtuar rinisë tha se rinia do ta ketë mbështetjen e degës sa herë që të ketë nevojë. “Besoj fortë se JU së bashku do ti kaloni të gjitha sfidat dhe duke bashkëpunuar fortë, ju keni fuqinë për të krijuar ndryshime thelbësore në komunitetin tonë dhe për të ndikuar në të ardhmen e vendit. Jini të kujdesshëm, por më shumë të guximshëm, ndërtoni të ardhmen por dhe të merrni nga e kaluara.”
Kryetari i Kuvendit qendror Ziadin Sela potencoi se rinia është ndryshimi dhe ASH ka punuar për atë pasi ajo shpresa dhe ndryshimi. “ASH e ka dëshmuar me vepra rëndësinë që i kushton rinisë. Ne të gjithë, kushdoqoft edhe si deputet, themi se jemi bashkë. Shifni si janë ndarë subjektet e tjera politike te shqiptarët dhe vetëm ne jemi bashkë. Ajo që ndodh me aktualitetin politik, është edhe debati juaj, por rinia është motori dhe lokomotiva që mund ta nxjerrë nga rrënimi këtë shtet, në veçanti shqiptarët. Na duhet arsimim më cilësor, ne duhet të punojmë bashkë që të punojmë për tokën në të cilën jemi autokon me mijëra vjet. Kemi thënë si parti që moti se shkollat na zbrazen, por duke u angazhuar bashkë politokisht, do ta sjellim shpresën. Këtyre që sot vetes i thonë opozitar, të gjithë te ASH kanë gjetur dorën e bashkëpunimit, dhe nga një apo dy deputet fituan nga katër. Ne ua treguam vendin se ku e kanë, në zgjedhjet e ardhshme do ua tregojmë sërish. Ata sot u bën bashkë, ndërsa ne ju dham pushtet dhe fuqinë duke qenë në opozitë dhe ata vrapuan pas nesh se gjoja do na gjunjëzojnë, por kjo nuk ndodhi dhe ne do vazhdojmë me kauzën tonë, në fitore të reja për rininë. Ndryshimin te shqiptarët do ta sjellë rinia e ASH-së”, theksoi mes tjerash, Ziadin Sela, kryetar i Kuvendit qendror të ASH-së.
Në fund, duke falenderuar kryesinë e deritanishme, në fjalën e tij kryetari i sapozgjedhur Albion Iseini theksoi: “Duke e falenderuar në emrin tim dhe tuajin kryetarin Arben Taravari zotohem bashkë me ju se ne do të bëjmë gjëra të mëdha! Ky vend është toka jonë dhe tashmë ka ardhur koha që ta marrin ne në dorë fatin e tij! Prindërit tanë nuk na kanë lindur as që të bëhemi emigrantë, dhe as me idenë që të na adoptojë Gjermania me Zvicrën! Ata na kanë lindur për këtu dhe ne këtu do të qëndrojmë, këtu do punojmë! Ne do të ngremë zërin lart pēr shkolla më të mira, për punësim të drejtë, për mundësi të barabarta! Ne jemi shkruesit e Historisë së Re! Ne jemi RiEnergjia! Ne Jemi Aksioni! Ne Jemi Kauza e Këtij Vendi! Prej sot le ta dijë gjithë bota se Rinia e Gostivarit ka vendosur të bëj ndryshimin! Ne nuk presim më që dikush tjetër të ndërtoj të ardhmen për ne!”
Ndryshe, Albion Iseini ka lindur më 5 shkurt të vitit 2001. Ai arsimimin fillor e ka kryer në shkollën fillore “Forina”, arsimimin e mesëm në Gjimnazin e Gostivarit. Aktualisht është student i shkëlqyer dhe bursist i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës. Është rritur në Aleancë si aktivist , duke mbajtur detyra të rëndësishme gjatë aktiviteteve. Nga viti 2020, ka qenë i angazhuar si vullnetarë në ekipin e shërbimit për informim në Kabinetin e kryetarit Taravari.