LajmeRajon

Osmani, mesazhe ndryshe nga Kurti/ Presidentja e Kosovës në Tiranë: Kemi nevojë për Shqipërinë

Pas dy vizitash në Kosovë të presidentit Bajram Begaj, ishte radha presidentes të Kosovës Vjosa Osmani të vizitonte Tiranën.

Pas një takimi kokë më kokë të dy presidentëve dhe më pas me stafet respektive presidenti Bajram Begaj kërkoi që marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë të udhëhiqen nga interesi kombëtar.

“Karakteri strategjik i marrëdhënieve midis dy shteteve tona, është me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të gjithë rajonit.

Theksova gjithashtu, se askush nuk ka pse çuditet, se përse Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kjo ka qenë e mbetet devizë e çdo shtetari në Shqipëri, ndaj dhe rikonfirmova edhe njëherë mbështetjen time dhe të shtetit shqiptar për Kosovën kudo, në çdo forum rajonal apo ndërkombëtar.”

Në një kohë kur marrëdhënia mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit vijon të jetë e ngrirë,  pas anulimit të mbledhjes së dy qeverie, presidentja Vjosa Osmani nga Tirana mbajti një qëndrim të moderuar.

“E kemi detyrim që së bashku të punojmë për interesat e të gjithë shqiptarëve në rajon, e në veçanti të shqiptarëve që vazhdimisht u shkelën vlerat, edhe ato më elementare, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanofc. Për sa kohë politika shtetërore e Serbisë po sfidon vazhdimisht integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës, ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë dhe partnerëve e aleatëve euroatlantik dhe pajtohem me presidentin Begaj që koordinimi me miqtë dhe aleatët tanë është parakusht për suksesin tonë“.-tha Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani u ndal edhe në dialogun e pritshëm që do të rinisë në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Dialogu me Serbinë është duke vazhduar, por rruga e vetme që sjell paqe e stabilitet afatgjatë për rajonin tonë, është atëherë kur rezultati përfundimtar është njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit të brendshëm të Republikës së Kosovës”. –tha Osmani.

Show More

Related Articles

Back to top button