BotaLajme

“Djalit tim i mungon babai”, zonja e parë e Ukrainës tregon sesi lufta ka ndikuar në familjen e saj

Në një intervistë shumë personale për BBC, zonja e parë e Ukrainës Olena Zelenska i foli për ndikimin emocional që lufta ka pasur në familjen e saj.

“Kjo mund të jetë pak egoiste, por unë kam nevojë për bashkëshortin tim, jo për ​​një figurë historike pranë meje”, tha ajo.

Ajo foli gjithashtu për pamundësinë që familja të kalojë kohë së bashku.

“Por ne qëndrojmë të fortë, jemi të fortë si emocionalisht ashtu edhe fizikisht. Dhe jam e sigurt se do ta përballojmë së bashku” shtoi ajo.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, Olena Zelenska kaloi muaj të tërë duke u fshehur në vende sekrete me fëmijët e saj.

Ajo e përshkroi gjendjen e saj emocionale në fillim të pushtimit si “një ndjenjë konstante adrenaline”. Me kalimin e kohës, ajo e kuptoi se ishte “e nevojshme” të qetësohej dhe të fillonte të jetonte jetën në “kushtet ekzistuese”.

Pasi doli nga ajo gjendje frike vitin e kaluar, lufta e vuri në qendër të vëmendjes dhe që atëherë ajo ka udhëtuar nëpër botë për të takuar udhëheqës dhe për të mbajtur fjalime.

“Nuk jetojmë bashkë, më burrin, familja është e ndarë. Ne e kemi mundësinë ta shohim njëri-tjetrin, por jo aq shpesh sa do të donim. Djalit tim i mungon babai”,  tha për BBC, Olena Zelenska.

Megjithatë, ajo thotë së pasiguria e të jetuarit në luftë ka ardhur me një kosto emocionale për fëmijët e saj.

“Më dhemb kur shikoj që fëmijët e mi nuk planifikojnë asgjë. Ata janë të rinj, vajza ime është 19 vjeç. Ata ëndërrojnë për udhëtime, për ndjesi të reja, emocione. Ajo nuk e ka një mundësi të tillë. Ka kufizime në kohë, në atë që mund t’i lejosh vetes. Këto kufizime tashmë ekzistojnë dhe ne disi përpiqemi të jetojmë brenda tyre.”

Zonja e parë dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u dashuruan në shkollën e mesme dhe vazhduan të punonin së bashku në një trupë humori dhe studio televizive – ai si aktor, ndërsa ajo si skenariste.

Tani, ajo reflekton se nuk e kishte menduar dhe as ëndërruar kurrë që bashkëshorti i saj të bëhej “figura historike” që është sot, duke thënë se e kishte marrë malli dhe kishte nevojë që ai t’i qëndronte në krah si bashkëshorti i saj.

Pavarësisht nga ajo që ajo tha se ndjesitë  e saj mund të jenë “egoiste”, Olena Zelenska e mbështet fort “figurën historike” të bashkëshortit.

“Unë besoj në të. Dhe e mbështes. E di që ka forcë të mjaftueshme. Për çdo person tjetër që njoh, mendoj se do të ishte shumë më e vështirë kjo situatë. Ai me të vërtetë është një person shumë i fortë, energjik dhe elastik. Dhe ky elasticitet është ajo që ne të gjithë kemi nevojë për momentin.”

Puna e saj e fundit si zonja e parë është fokusuar në ndihmën e ukrainasve që të përballen me ndikimin psikologjik të luftës dhe ajo po përgatitet të bashkë organizojë një samit në Kiev që do të fokusohet në shëndetin mendor dhe qëndrueshmërinë. Aktori dhe shkrimtari britanik Stephen Fry, një aktivist i shquar për çështjet e shëndetit mendor  është bashkë prezantuesi tjetër.

“Unë me të vërtetë shpresoj se mund të frymëzoj dikë, mund t’i jap dikujt shpresë ose këshilla, ose të dëshmoj me shembullin tim se jetojmë, punojmë, ecim përpara” tha Olena Zelenska.

Ukrainasit nuk mund të jenë të sigurt për të nesërmen ose të kenë besim në të ardhmen, shpjegoi ajo, por ata kanë shpresë.

“Ne kemi shpresa të mëdha për fitore, por nuk e dimë se kur do të vijë. Dhe kjo pritje e gjatë, stresi i vazhdueshëm, ka ndikimin e vet.“

Show More

Related Articles

Back to top button