HAGË- Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot vazhdon gjykimi i Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Sot pritet të vazhdojë dëshminë Frederick Abrahams, nga OJQ-ja ndërkombëtare “Human Rights Watch”, i cili është dëshmitari i ri i ZPS-së në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve. Ky është dëshmitari i 22-të deri më tani.
Ndërkohë dëshmitari Agim Idrizi e ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale të Hagës. Idrizi në fund të dëshmisë është shprehur i shqetësuar me komentet që ka parë në rrjetet sociale pas dëshmisë së tij një ditë më parë.
Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet. Gjatë kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.