Kombëtarja e Shqipërisë është gati për përballjen e rëndësisë ndaj Republikës Çeke. Për sfidën e së enjtes, është mësuar edhe formacioni i mundshëm që do të aplikojë trajneri Silvinjo për përballjen ndaj Çekisë.
Bëhet fjalë për një formacion 4-3-3. Etrit Berisha ta nisë nga minuta e parë në portë. 34-vjecari vjen pas një momenti të mirë, pasi të dielën luajti si titullar me Empolin ndaj Juventusit, ku priti edhe një penallti. Në repartin e mbrojtjes do të jenë të vendosur, Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti dhe Mario Mitaj.
Mesfusha do t’i besohet Ylber Ramadanit, i cili ka bërë paraqitje mjaft të mira me Leçen, si dhe Kristjan Asllanit dhe Nedim Bajramit. Ndërkohë që edhe sulmi do të jetë i njëjtë si në Torshavn. Me Taulant Seferin dhe Jasir Asanin nga krahët, dhe Sokol Cikalleshin në qendër si pikë referimi.
Dilema e madhe për Silvinjon mbetet krahu i majtë i sulmit, pasi Myrto Uzuni është në balotazh me Seferin për vendin e titullarit. Gjithsesi situata do të vlerësohet deri në fund nga trajneri. Dhe më pas do të vendoset se cili nga lojtarët do të startojë nga minuta e parë.
Kombëtarja “kuqezi” ka kryer me sukses të gjitha përgatitjet e mundshme para ndeshjes me Çekinë dhe i gjithë fokusi zhvendoset për përballjen e së enjtes në “Fortuna Arena”, ku Shqipëria do të zhvillojë një prej pesë finaleve të mbetura.