Miroslav Lajçak, i dërguari special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka takuar Stuard Peachin, të dërguarin special të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor.
Në platformën X, Lajçak ka njoftuar se në takim kanë shkëmbyer vlerësimet mbi zhvillimet e fundit në rajon dhe për dialogun Kosovë-Serbi.
“Pasi u ktheva në Bruksel, u njoha me të dërguarin e Ballkanit Perëndimor Lord Peach. Gjithmonë është mirë të dëgjojmë për aktivitetet e tij të fundit, të shkëmbejmë vlerësime mbi zhvillimet e fundit në rajon dhe ta informojmë atë për përpjekjet tona në dialog”, ka shkruar Lajçak.
After landing back in Brussels, I caught up with 🇬🇧 Western Balkan envoy Lord Peach. Always good to hear about his latest activities, exchange assessments of recent developments in the region and brief him on our efforts in the Dialogue.
Gjatë ditës së djeshme ndërmjetësi evropian në dialog, Lajçak, është takuar edhe me këshilltarin e Kancelarit gjerman Olaf Scholz, Jens Plotner.
Si temë kryesore ka qenë takimi i nivelit të lartë në mes Kosovës dhe Serbisë, ku më 14 shtator në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Takimin e 14 shtatorit, Lajçak e ka cilësuar si rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.
Të dy palët tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, teksa agjenda ende nuk është bërë e ditur.