Ministri serb i Tregtisë, Timoslav Momiroviq (Momirovic), ka përsëritur ankesat ndaj Kosovës për bllokimin e mallrave me origjinë nga Serbia.
Vendi thotë se ka pasur një rënie të mprehtë të qarkullimit tregtar dhe se kjo nuk është as në interesin e kompanive serbe, as të kompanive shqiptare.
Çështja pritet të ngrihet për diskutim në takimet që Momiroviq planifikon të mbajë me zyrtarë të Bashkimit Europian gjatë javëve në vijim.
“Do shkoj në Bruksel për ta rihapur këtë problem. I kam shkruar Komisionit Europian, i cili na ka mbështetur në këtë veprim të papranueshëm. Mes politikanëve shqiptarë ka dallime thelbësore për sa i përket çështjes së lëvizjes së mallrave serbe. Unë shpresoj që është në interesin e ekonomive tona, kompanive serbe dhe shqiptare, për paqe dhe stabilitet që të gjejmë një zgjidhje duke hequr çdo kufizim,” u shpreh Momiroviq gjatë një paneli për marrëdhëniet serbo-amerikane në Ditën e Amerikës.
Beogradi synon që rajoni të integrohet ekonomikisht dhe për këtë Momiroviq iu referuar edhe nismës “Ballkani i Hapur”.
“Kufijtë sjellin stanjacion dhe na bëjnë të luftojmë për probleme të cilat nuk ekzistojnë në Europën moderne,” tha ministri serb, duke shtuar se çdo vend është i lirë ta vendosë vetë nëse do të jetë pjesë e kësaj aleance ekonomike.