Banorët e Komunës së Bujanocit i kanë bërë thirrje Ministrisë së Brendshme të Serbisë që të respektojnë Kushtetutën për punësimin në organet shtetërore, pasi konsiderojnë se diskriminimi në këtë fushë ka prekur kufijtë e racizmit.
Ata përmes një aksioni simbolik pata stacionit të policisë, kanë kërkuar që të merret parasysh neni 77 i Kushtetutës të Serbisë për punësimin në organet shtetërore, sipas së cilit “duhet të merret parasysh përfaqësimi proporcional i pakicave nacionale”.
Për këtë ka shkruar në Facebook kryetari i Këshillit kombëtar shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu.
“’Respektojeni kushtetutën’ ishte thirrja që i bëmë sot Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
Neni 77 i Kushtetutës së Republikës së Serbisë thotë: “Lidhur me punësimin në organet shtetërore, në ndërmarrjet publike, organet e krahinës, vetëqeverisjes lokale duhet të kihet parasysh përbërja nacionale dhe përfaqësimi proporcional i pakicave nacionale”.
Numri i policëve shqiptarë është tejet i vogël, madje shumë prej tyre janë afër pensionit.
As edhe një polic i pranuar në vitet e fundit nga komuniteti shqiptar.
I bëjmë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që ta kenë vëmendjen tek gjendja e shqiptarëve në Serbi, sepse diskriminimini ka prekur kufijtë e racizmit”, ka shkruar ai.