Sindikata e Pavarur e RTK-së reagon ashpër kundër deklaratës skandaloze të kryetarit të Bordit Besnik Boletini për punëtorët e RTK-së. Në takimin e Bordit të mbajtur me datë 6 shtator 2023, në praninë e vëzhgueses së Sindikatës si dhe të gazetares së BIRN-it, kryetari Besnik Boletini ka deklaruar:
Sindikata e Pavarur e RTK-së, ka reaguar ndaj një deklarate të kryetarit të Bordit, Besnik Boletini, i cili tha se merr informacione se “punëtorët vijnë me pizhame, ‘miniqa’, bëjnë check out dhe kjo është e papranueshme”.
Sipas kësaj sindikate, kjo deklaratë e Boletinit është fyerje për rreth 800 të punësuar në RTK, teksa bënë thirrje që i njëjti ta lirojë postin e kryetarit të Bordit të RTK-së.
“Në të kundërtën ne si Sindikatë do të ndërmarrim veprime radikale ligjore, përfshirë protestat dhe grevën. Në krye të institucioneve publike nuk kanë vend personat që fyejnë e denigrojnë vartësit e tyre. Në mediumin Publik nuk kanë vend personat që i portretizojnë vartësit e tyre si mashtrues e papunëtorë”, thuhet në reagim.
Ndërsa, Boletini i ka komentuar reagimet e sindikatës, duke thënë se ajo që po citohet nga sindikata nuk është konstatim i tij, por prezantim i një perceptimi.
“Pra kam folur për një perceptim që është krijuar se disa punonjës bëjnë vetëm hyrje-dalje, e jo për mënyrën se si veshën kur vijnë në punë. Kjo çështje është e rregulluar me rregullore të brendshme. E çfarëdo kahje tjetër e deklaratave të mia është një manipulim i qëllimshëm”, tha Boletini.
Më tej, ai tha se në mbledhjen e së mërkurës, Bordi i RTK-së, ka marrë vendim lidhur me raportimin e aktiviteteve të punës nga punonjësit, për të cilin tha se “e kam parasysh se mund të mos pritet mirë nga të gjithë”.
“Ndër të tjera, kjo ndihmon që kur të bëhet vlerësimi i fundvitit nga udhëheqësit, secili punonjës të vlerësohet në mënyrë meritore dhe të bazuar. Në këtë mënyrë evitohen edhe pakënaqësitë eventuale se jo të gjithë po punojnë në mënyrë proporcionale. Ky perceptim është i pranishëm në RTK”, tha ai.