LajmeRajon

Lansohet forma e aplikimit për subvencionim të energjisë elektrike për familjet e cenueshme

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se është lansuar forma e aplikimit për subvencionim të energjisë elektrike për familjet e cenueshme.

Murati në një postim në Facebook shkruan se qytetarët që aplikojnë të sigurohen që të dhënat i kanë të sakta.

Lexoni të plotë postimin, ku jepen detaje të aplikimit:

Sigurohuni që të dhënat janë të sakta, e sidomos shifra e konsumatorit (njehsorit të energjisë elektrike) sepse subvencioni do të bëhet direkt në faturë.

Kush mund të përfitojë?

Të gjitha familjet me të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro/muaj/anëtar, kualifikohen për të aplikuar për subvencionim.

Pra nëse një familje ka 4 anëtarë dhe ka të ardhurat mujore më pak se 600 euro/muaj, mund të aplikojë për subvencion. Nëse familja ka 5 anëtarë duhet të ketë të ardhura më pak se 750 euro/muaj për t’u kualifikuar, e kështu me radhë.

Sa është shuma e subvencionit?

Shuma e subvencionit të plotë shkon deri në 900 kWh/vit për një anëtar, dhe do të jetë e shpërndarë nëpër muajt e dimrit.

Nëse një familje 4-anëtarëshe ka 300 euro të ardhura mujore, mund të përfitojë gjysmën subvencionit, pra 450 kWh/vit për anëtar.

Nëse familja nuk ka fare të ardhura, atëherë mund të përfitojë subvencionin e plotë prej 900kWh për anëtar.

Me fjalë tjera, sa më pak të ardhura të ketë familja, aq më e lartë është vlera e subvencionit, e që mund të shkojë deri në 900kWh/vit/anëtar.

Në rast se familjet nuk kanë qasje në internet, apo kanë vështirësi të aplikojnë, mund të drejtohen në Qendrat për Punë Sociale për udhëzime dhe ndihmë.

Show More

Related Articles

Back to top button