Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, kujtoi sot 11 shtatorin e vitit 2001, duke sjellë edhe foto e kujtime të shqiptarëve që humbën jetën në kullat binjake të goditura nga terroristët.
“Kurrë nuk harrojmë. Sot kujtojmë dhe nderojmë rreth 3000 njerëzit që humbëm më 11 shtator 2001. Kujtojmë gjithashtu heronjtë që dolën dhe unitetin që pasoi atë ditë të tmerrshme. Ne qëndrojmë së bashku për të kujtuar, në qëndrueshmëri dhe me shpresë”, shkruan sot ambasada amerikane në rrjetet sociale.
Në mesin e shumë burrave, grave dhe fëmijëve që humbën jetën në atë ditë fatale, ishin tre shqiptarë: Simon Dedvukaj, Roko Camaj dhe Mon Gjonbalaj.
Simon Dedvukaj ishte më i riu nga tre shqiptarët (26 vjeç) që humbën jetën tragjikisht më 11 shtator. Lindur dhe rritur në Bronks, Nju Jork, Simoni e mbante gjithmonë pranë zemrës trashëgiminë e tij shqiptare, duke shfaqur një interes të thellë, të cilin vëllezërit e motrat e tij e krahasonin me një enciklopedi të historisë shqiptare.
Roko Camaj kaloi gati gjysmën e jetës së tij pezull me litarë mbi 1300 metra mbi tokë teksa punonte jashtë Qendrës Botërore të Tregtisë. Shumica e 43600 dritareve të Qendrës Botërore të Tregtisë pastroheshin duke përdorur një pajisje të posaçme që zvarritej lart e poshtë çdo kulle, por dritaret në katet e sipërme të Kullës Jugore duhej të laheshin me dorë. Kjo ishte puna e Camajt dhe ai e donte shumë. “Jemi vetëm unë dhe qielli. Unë nuk shqetësoj askënd dhe askush nuk më shqetëson”, kishte thënë Camaj, sipas një libri për fëmijë të shkruar për të.