Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe homologu i saj izraelit, Haim Katz, kanë nënshkrua Deklaratën e Përbashkët ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit,
Siç thuhet në njoftimin e ministrisë, kjo ka për qëllim forcimin e lidhjes ndërmjet dy vendeve duke ndihmuar në zhvillimin e turizmit në përputhje me parimet e respektit reciprok dhe barazisë.
“Deklarata e Përbashkët parasheh edhe shkëmbimin e informacionit mbi inovacionin dhe digjitalizimin e turizmit dhe ekspertizës me synimin për të krijuar një partneritet të qëndrueshëm me theks në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe sipërmarrjet fillestare që operojnë në industrinë e turizmit e poashtu edhe shkëmbimin e të dhënave dhe statistikave që do të përmirësojnë përvojën e udhëtimit për të dyja vendet.
Nxitja e bashkëpunimit institucional ndërmjet Autoriteteve Kombëtare të Turizmit dhe nxitja e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet agjencive të udhëtimit dhe institucioneve të tjera në fushën e turizmit, është gjithashtu e rëndësisë së veçantë. Poashtu, Deklarata e Përbashkët parasheh edhe nxitjen e bashkëpunimit në kuadër të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) si dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të lidhura me turizmin si dhe në fushën e edukimit turistik, duke nxitur shkëmbimin e informacionit përkatës me qëllim krijimin e kushteve për të mundësuar shkëmbimin e përvojës praktike në fushën e edukimit, trajnimit dhe të mësuarit, me theks të veçantë në ngritjen e aftësive dhe rikualifikimit, thuhet në njoftim.