BotaLajme

OKB: Rivalët e Libisë po i koordinojnë përpjekjet për shpëtim, pas përmbytjeve

Dy qeveritë rivale në Libi janë duke i koordinuar përpjekjet për kërkim-shpëtimin e viktimave të përmbytjeve, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

Më shumë se 5.300 persona kanë vdekur si pasojë e krisjes së dy digave, të cilat kanë shkaktuar vërshime vdekjeprurëse në qytetin lindor Derna. Të paktën 10.000 persona janë të zhdukur dhe dhjetëra mijëra tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Një zyrtar i OKB-së ka thënë se dy qeveritë kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare dhe se janë duke u koordinuar me njëra-tjetrën. Ekipet e Libisë janë duke kërkuar për të mbijetuar në qytetin Derna bashkë me ekipe nga Egjipti, Tunizia, Turqia, Italia dhe Spanja.

Ekipet e Kryqit të Kuq në Libi, e kanë përshkruar situatën në teren sikur të kishte ndodhur një bombardim i madh dhe një tërmet, në të njëjtën kohë. Prej rrëzimit të udhëheqësit Muammar Gaddafi më 2011, Libia është ndarë në mes të dy qeverive rivale, të cilat janë përfshirë disa herë në konflikte.

Kryeministri Abdul Hamid Dbeibah e udhëheq Qeverinë e Unitetit Kombëtar në Tripoli dhe gëzon mbështetjen e Kombeve të Bashkuara. Osama Hamad, kryeministër në lindje, udhëheq një administratë rivale të njohur si Shtëpia e Përfaqësuesve. Megjithatë, shumë persona besojnë se fuqinë e vërtetë në këtë krah e ka gjenerali Khalifa Haftar, i cili e udhëheq Ushtrinë Kombëtare të Libisë. /REL

Show More

Related Articles

Back to top button