Një gjykatë ruse ka urdhëruar Konsorciumin e Gazsjellës Kaspik (CPC), që transporton naftë nga Kazakistani në Detin e Zi, të pezullojë aktivitetin për 30 ditë.
CPC, që ka afër 1 për qind të naftës globale dhe përfshin kompanitë amerikane Xhevron dhe Exxon, tha më 6 korrik se vendimi për të pezulluar operacionet ka të bëjë me shqetësimet që lidhen me rrjedhjet e naftës dhe se konsorciumi do ta respektojë vendimin.
Në deklaratën e postuar në uebfaqe, CPC-ja tha se planifikon të apelojë vendimin.
“Konsorciumi i Gazsjellësit Kaspik punon brenda kornizës ligjore të Federatës Ruse dhe është e detyruar të respektojë vendimin e gjykatës. Vendimi do të apelohet sipas procedurave të përcaktuara në ligj”, u tha në deklaratën e CPC-së.
Rreth 80 për qind e eksporteve të naftës së Kazakistanit kalojnë përmes portit të Rusisë në qytetin Novorosisk. Terminale që gjendet në këtë port mund të transportojë deri në 67 milionë tonë naftë në vit.
CPC tha më 6 korrik se zëvendëskryeministrja ruse, Viktoria Abramchenko, ka kërkuar nga disa agjenci, përfshirë edhe rregullatorin për siguri në industri, Rostekhandzor, që të inspektojnë ndërtesat që janë pjesë e Rusisë në koncorsium.
Ky konsorcium tha se inspektimi ka gjetur disa parregullsi mbi planet se çfarë duhet të ndërmerret nëse ka rrjedhje të naftës. Një rrjedhje e naftës kishte ndodhur në terminal vitin e kaluar.
Autoritetet ruse fillimisht i kishin dhënë afat CPC-së që deri më 30 nëntor të vitit të kaluar të përmirësonte shkeljet, por më pas rregullatori për transportin kërkoi mbylljen e terminalit më 6 korrik dhe gjykata përkrahu këtë kërkesë.
Gjykata tha se ndërprerja e operacioneve ishte e nevojshme për të parandaluar ndonjë dëm të mundshëm mjedisor.
Operacionet e këtij gazsjellësi veçse ishin ndaluar më herët gjatë këtij viti për shkak të një dëmtimi në terminalin në Detin e Zi. /REL/