Humbja e parë në sezonin e ri ka sjellë jo pak dëshprim në taborin e Shkëndijës, pasi u duk se skuadra kuqezi po shkonte drejt një tjetër përmbysje dhe fitoreje në çastet e fundit. Epërsisë së Sileksit me Milosavleviçin, tetovarët i’u përgjigjën me golin e barazimit nga Cake në minutën e 88-të. Aty Shkëndija u hodh në sulm në kërkim të tre pikëve, por kësaj rradhe minutat shtesë do të ishin ndëshkim për kuqezinjtë, duke pranuar gol për humbje 2:1 (Llazareviç shënoi për vendasit).
Trajneri i kuqezinjëve, Ardian Nuhiu ishte i vetëdijshëm se ekipi tetovar do të shijonte disfatën e parë në futbollin vendor, por nuk e ka pritur që një gjë e tillë të vjen në paraqitjen më të mirë në këtë sezon.
“E dinim se do të vinte një ditë edhe humbja e parë, por unë personalisht mendoj se ndeshjen më të mirë apo më mirë të interpretuar nga skuadra jonë sot e humbëm. Personalisht mendoj se në ato goditjet nga distanca duhej të ishim më të kujdesshëm dhe më agresiv për mos me lejuar ta godisnin portën, por sa i përket skuadrës tonë mendoj se kemi ndërtuar shumë mirë, kishim qarkullimin e topit, gjatë gjithë kohës kemi qenë në kërkim të golit dhe në momentin që barazuam menduam se do të merrnim edhe fitoren. Por jo që shkuam me çdo kusht ta merrnim sepse realisht mbrojtja ishte e pozicionuar dhe secili ishte në pozitën e vet, por thjesht ashtu si kemi marrë fitore në fund të takimeve, ja sot erdhi ndëshkimi,” tha në fillim trajneri Nuhiu.
“E thash unë po kërkoja që ta fitonim takimin, sepse më vinte keq për futbollistët të cilëve edhe në pauzë ju thash se këtë takim ne do ta fitojmë për mënyrën se si jemi duke qarkulluar topin dhe mënyrën si kemi në kontroll gjithçka, përveç minutave të para kur na goditën traversën, pjesa tjetër ishte shumë mirë e menaxhuar nga skuadra jonë. E theksova se në atë pozicion ku ne pranuam golin e dytë ishte e vendosur mbrojtja, aty ishte mbrojtësi ynë i majtë në pozicion, por thjesht nuk arritëm ta eliminonim atë mundësi,” tha në fund Ardian Nuhiu.
Sfida e radhës për Shkëndijën do të jetë në Tetovë, më 24 shtator kundër Makedonija Gjorçe Petrovit, ndërsa skuadra tetovare ishte e lirë në raundin e parë të Kupës së Maqedonisë, që zhvillohet në mesjavë.