Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski sot pasite sipas orës së Maqedonisë së Veriut në Nju-Jork do të marrë pjesë në hapjen e debatit të përgjithshëm të sesionit të 78-të të Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Është parashikuar që Pendarovski të mbajë fjalim në debatin e përgjithshëm të premten, 22 shtator.
Vonë pasdite sipas orës së vendit tonë, shefi i shtetit do të realizojë takime dypalëshe me mbretin e Jordanisë, Abdullai i Dytë, si dhe me presidentin e Republikës së Qipros, Nikos Hristodulides, kumtoi Kabineti i presidentit.
“Gjatë ditës së sotme presidenti Pendarovski do të marrë pjesë në drekën e punës të organizuar nga nënkryetari i Komisionit Evropian dhe përfaqësues i lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian, Zhozep Borrell, me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sonte presidenti Pendarovski do të marrë pjesë në një pritje të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Xho Bajden”, informoi kabineti i Pendarovskit.
Gjatë ditës së djeshme, presidenti i shtetit foli në samitin kushtuar përmbushjes së Objektivave për zhvillim të qëndrueshëm, pati një takim me kancelarin gjerman Olaf Sholc, si dhe takime të shkurtra me presidentin austriak Aleksander Van der Belen, presidenten sllovene Natasha Pirc-Musar, kryeministrin e Suedisë, Ulf Kristerson dhe kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen.
Dje mbrëma Pendarovski mori pjesë në pritjen me rastin e 50-vjetorit të anëtarësimit të Republikës Federale Gjermane në Kombet e Bashkuara, të organizuar nga kancelari i Republikës Federale Gjermane, Olaf Sholc, ministri federal i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok dhe ministrja federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, Svenja Shulce.