LajmeMaqedoni

MASH-i: Me mbështetje të gjerë vazhdon reforma në arsimin fillor

Reforma e arsimit fillor do të vazhdojë konform dinamikës së paraparë, sepse po jep efektet e pritshme. Sfidat ekzistojnë dhe ato tejkalohen përmes qasjes së përbashkët, ndërsa në ndërkohë çdo sugjerim dashamirës që mund të lehtësojë zbatimin dhe të rrisë efikasitetin dhe efektivitetin e tij është i mirëpritur.

Kjo u konstatuar në takimin e sotëm ndërmjet përfaqësuesve më të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, si dhe përfaqësues të SASHK-ut që janë pjesë e fushës së mësimdhënies në fushën e gjeografisë dhe të interesuarit në këtë fazë të tretë të zbatimit të planit për reformimin e arsimit fillor.

Në takim u konfirmua se reforma është e konceptuar mirë dhe do të vazhdojë të zbatohet me mbështetjen e të gjithë aktorëve të interesuar ndërsa takimet dhe diskutimet më të shpeshta mund të ndihmojnë në tejkalimin e sfidave që mund të shfaqen.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri potencoi se asnjë mësimdhënës nuk do të largohet nga puna dhe as nuk do të marrë rrogë më të ulët për shkak të integrimit të lëndëve që parashikon reformimi. Çdo punonjës në arsim lënda e të cilit ligjëron është e integruar me lëndët e tjera të shkencës përkatëse, do të qëndrojë në vendin e tij të punës, do të marrë rrogën për fondin e plotë mësimor të orëve dhe përveç kësaj, së bashku me SASHK-un do të gjendet zgjidhje e përbashkët që të ardhurat personale do të rriten sërish ndjeshëm, për të tretën herë në një periudhë njëvjeçare.

MASH ju bën thirrje të gjithë aktorëve të tjerë shoqërorë, ndërsa veçanërisht atyre të cilët kanë ndikim politik që të japin kontributin e tyre në angazhimet për avancimin e cilësisë së sistemit arsimor kombëtar. Ndryshimet nuk mund të ndodhin brenda natës dhe me kritika të pabaza, por për kundrazi në etapa dhe me pjesëmarrjen konstruktive të të gjithë aktorëve të interesuar dhe faktorëve.

Show More

Related Articles

Back to top button