LajmeMaqedoni

Pensionistët sot në protestë para Qeverisë

Pensionistët për herë të dytë mblidhen për të protestuar, pasi para një muaji morën premtim nga autoritetet se grupet e punës në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale do t’i shqyrtojnë kërkesat e tyre dhe do të propozojnë zgjidhje konkrete.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, para dy ditëve deklaroi se deri në fund të shtatorit pret propozime konkrete nga grupet e punës. Por kjo porosi, megjithatë nuk i qetësoi pensionistët.

“Nuk mund të presim. Është e qartë se vetëm blejnë kohë. Është e thjeshtë, nuk lëshojmë pe dhe nuk do të tërhiqemi derisa të marrim atë që e kërkojmë. Rritje lineare të pensioneve për të gjithë pensionistët prej 3500 denarëve. Për të gjithë”, tha për “DW” pensionisti Trajçe Stanojkov.

Për pensionistët është e papranueshme që pensionet të rriten për 6%, sipas metodologjisë së konfirmuar, në kushte kur harxhimet për jetesë janë rritur në mënyrë drastike në vitet e fundit.

Beteja për pensione më dinjitoze po nxehet, por është edhe përçarëse. Kryesia e Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve u distancua që në fillim nga metodat dhe mënyra e zhvillimit të betejës me protesta.

“Kërkesat e bordeve nismëtare kanë mbërritur tek ne dhe i kemi proceduar në ministrinë përkatëse dhe janë në shqyrtim nga komisioni qeveritar. Janë bërë pyetjet dhe po punohet për to. Ekziston një marrëveshje që fillimisht të zhvillohen një sërë masash për asistencën sociale dhe më pas t’i qasemi zgjidhjes sistematike për pensionin më të ulët. Ne si sindikatë kemi bërë propozimet tona edhe më herët para protestave dhe jemi për zgjidhjen institucionale të problemeve dhe kërkesave. Unë pres që zgjidhjet e qëndrueshme do të pranohen. Mund të pretendoni, por jo diçka që mund të dëmtojë si afatshkurtër ashtu edhe afatgjatë për pensionistët. Prandaj them se duhen kërkesa optimale, plotësimi i një optimumi logjik të asaj që kërkohet. Sistemi ynë pensional është i qartë dhe ajo që kërkohet nuk është në përputhje me të”, tha për DW Stanka Trajkova, kryetare e Sindikatës së Pensionistëve të Maqedonisë.

Rritja lineare e pensioneve, sipas përllogaritjeve, do t’i kushtojë shtetit rreth 230 milionë euro në vit. Një shumë jo e vogël, sidomos kur merret parasysh se si dhe për sa po mbushet gropa në fondin e pensioneve, e cila çdo vit sa vjen e bëhet më e madhe. /DW

Show More

Related Articles

Back to top button