Me të hyrë në fuqi vendimi për ngrirje të çmimeve, rrjetet më të mëdha të marketeve në vend kanë vendosur etiketat “çmime të garantuara”. Në disa prej tyre nëpër kryeqytet, të cilat inspektoi Tv Alsat vërejtëm se ka mungesë të mishit të kuq të freskët, nga furnizimet e mallrave të listës së 50 produkteve ushqimore. Menaxherët e marketeve na thanë se vetë mishtoret nuk i kanë furnizuar nga që u leverdisë ta sheshin nëpër dyqanet e tyre me çmime të vjetra dhe pa kupon fiskal. Por, sidoqoftë, qytetarët thonë se ulja prej 10% e këtyre produkteve nuk po vërehet fare në kostot e larta që kanë qenë dhe më 1 gusht.
“Hiç nuk është e mjaftueshme për neve! 12 mijë denarë e kam pensionin edhe si të jetojmë me këto kushte? Çfarë janë 10%! Nga 100 denarë po kurseja 10 denarë”.
“Vërehet se çmimet janë më të larta dhe te buxheti familjar, që varet sa anëtarë janë dhe sa harxhojnë, por për një familje mesatare është vështirë. Edhe pse gradualisht shteti po mundohet të rrit pagat dhe ngrirje të çmimeve, por akoma vërehen çmimet e larta të produkteve.”
“Shumë është vështirë, ja shikoje shalqiri 30 denarë për kilogram nuk ka lëvizur gjithë verën. U bë luks të hash bostan! Edhe specat tani për ajvar njësoj shtrenjtë, kurse pagat e pensionet mbeten të ulëta.”
Vendim mjaft i dëmshëm për kompanitë, kumtojnë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore. Nga kjo odë apelojnë deri tek gjitha institucionet në vend që sjellja e vendimeve dhe ligjeve të tilla nuk duhet të bëhet pa analiza përkatëse dhe të detajuara të tregut, sepse sipas tyre, pasojat e të njëjtës do të jenë shumë të mëdha. Njëra prej tyre është stimulimi i ekonomisë joformale, thonë nga OEMVP.
“Ekonomia e tregut të lirë është vënë në pikëpyetje me ndërhyrjet e shumta brenda 2 viteve nga Qeveria, kështu duke stimuluar ekonominë gri ndërkaq, synimet e vendit tonë janë eliminimi i saj, por edhe i nxitjes së konkurrencës së lirë. Gjatë ndërmarrjes së vendimeve të tilla atëherë janë të nevojshme edhe eliminimi i përkohshëm i tatimeve apo tarifave doganore me qëllim të evitimit të mungesës së atyre produkteve në treg por edhe të mbrohen prodhuesit vendor. Gjatë uljes së çmimeve të këtyre produkteve rrezikohet edhe cilësia e produkteve nga vet prodhuesit të cilët do duhet të punojnë me humbje”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.
Nga Ministria e Ekonomisë thonë se këtij vendimi iu janë bashkangjitur vullnetarisht edhe prodhuesit vendorë dhe tregtarët e pijeve alkoolike dhe joalkoolike. Se në çfarë forme do të zbatohet kjo pa u përfshirë në vendim mbetet për tu parë. Pasi që gjatë ditës, në arkat e pijeve dhe raftet e lëndëve kimike-higjienike figuronin shitje në ofertë aksioni, gjë e cila tani nuk bie në kundërshtim me vendimin për ndalesë të shitjeve promocionale, të cilat janë të përfshira vetëm këto mbi 50 produktet ushqimore. /Alsat.mk