LajmeRajon

Kosovë, fillon edicioni i dytë i Samitit të Paqes dhe Demokracisë

Ka filluar në Prishtinë edicioni i dytë i Samitit të Paqes dhe Demokracisë (KPDS) me temë “Të imagjinojmë të pamundurën: Ballkani Perëndimor i ka shpëtuar krizës dhe është në rrugën drejt integrimit bashkëpunues”, raporton Anadolu.

Samiti i cili pritet të mbahet për dy ditë, më 20 dhe 21 shtator ka mbledhur panelistë nga rajoni dhe bota.

Në këtë samit folës do të jetë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadorë tjerë të huaj, politikanë, studiues, përfaqësues të shoqërisë civile, e të tjerë.

Drejtoresha ekzekutive e “New Social Initiative”, një organizatë e shoqërisë civile e bazuar në Mitrovicën e Veriut, Jovana Radosavlijeviq tha se dialogu midis qeverive, asaj të Kosovës dhe asaj të Serbisë – me shoqërinë civile, po tkurret vazhdimisht.

Qëllimi i këtij samiti, sipas Radosavlijeviq, është që të mbahen kanalet e komunikimit të hapura midis palëve të ndryshme.

“Ne si ‘New Social Initiative’ i kemi provuar pikat e thyerjes edhe nën lëkurën tonë. Puna jonë ka qenë e mundimshme përgjatë krizës në Mitrovicën e Veriut ku ishte e pamundur të bënim bashk fizikisht një grup multietnik gjatë periudhës së barrikadave”, theksoi Radosavlijeviq duke shtuar se për këtë “vetëm komuniteti ndërkombëtar interesohej për një zgjidhje të duhur”.

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier tha se SHBA-ja ka besim të plotë në Bashkimin Evropian (BE) sa i përket ndërmjetësimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut, SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm Miroslav Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”, tha Hovenier.

Deklarata e Hovenierit vjen dy ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ndërmjetësi i BE-së, Lajçak, fliste sikur të ishte i koordinuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, gjatë rundit të fundit të bisedimeve Kosovë-Serbi, më 14 shtator në Bruksel.

Hovenier tha se rruga përpara e Kosovës dhe Serbisë është zbatimi i plotë i Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj në Ohër, gjë që afron vizionin amerikan për integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike.

Samiti i Paqes dhe Demokracisë shërben si një platformë e rëndësishme për të promovuar dialogun dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor.

Show More

Related Articles

Back to top button