LajmeMaqedoni

Balancuesi, Aliu: Askush në botë nuk e ndërron etnitetin për një vend pune, kjo ndodh vetëm në Maqedoninë e Veriut

Edhe pse u hartuan strategji të reja, Ministria e Administratës, nuk e përfshiu në këto plane mekanizmi i balancuesit. Sipas tyre, po bëhen analiza shtesë teknike se sa ka balancuesi qenë i keqpërdorur nga institucionet shtetërore, duke u punësuar kandidat me deklarime të rrejshme. Ministri Azir Aliu e pranon që balancuesi keqpërdoret gjithandej, por edhe me heqjen e këtij mekanizmi nuk supozohet të zgjidhet problemi ngaqë mendësia e qytetarëve është të manipulojnë çdo sistem vetëm për të arritur tek një vend pune të shtetit. Aliu tha se askush në Botë nuk e ndërron etnitetin brenda ditës për një vend pune, kjo ndodh vetëm në Maqedoninë e Veriut.

“Nuk besoj se mund të gjeni një qytetar në shtetet Evropiane, i cili ndryshon nacionalitetin brenda ditës vetëm të bëhet pjesë e ndonjë institucioni. Besoj se është nënçmim edhe për institucionin dhe për këta qytetarë, të cilët bëjnë këtë veprim. Kjo flet shumë për formën dhe profesionalizmin, moralin dhe etikën që këta qytetarë kanë. Duke marrë parasysh këtë mentalitet të qytetarëve ne detyrimisht do të gjejmë formë që balancuesin ta zëvendësojmë me ligj me ndonjë formë dhe metodologji tjetër”, deklaroi Azir Aliu, Ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës.

Sipas ligjit, konkursin për nëpunës shtetëror dhe administratë publike e shpall Agjencia e Administratës në bazë të kërkesave të një institucioni përkatës me kualifikimet adekuate për punë. Kurse, kushtin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat e shton Ministra e Shoqërisë Informative dhe Administratës, duke e praktikuar mekanizmin e balancuesit. Nga Agjencia Administratës thonë se kanë vepruar sipas ligjit.

“Nuk kemi të drejtë ligjore t’ia ndalojmë dikujt se si deklarohet për përkatësinë etnike.
Aktualisht nuk kemi zgjidhje për ndryshimin e balancuesit me ndonjë metodologji të re”, thonë nga Agjencia e Administratës.

Keqpërdorimi i balancuesit është bërë ndër vite, pothuajse në të gjitha institucionet shtetërore kur bëhet fjalë për 20% të vendeve të rezervuara për shqiptarët dhe të tjerët. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button