VMRO-DPMNE-ja thotë se është e bashkuar dhe se ka mbijetuar edhe kohë më të vështira. Nga partia e Mickoskit thonë se ndryshimet në Kodin penal janë bërë për amnisti të funksionarëve aktual por edhe të Gruevskit. Konferencën për media sot e bëri Antonio Milloshoski, një nga bashkëpunëtorët më të afërt në atë kohë, të ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Milloshoski thotë se pushteti përgatit edhe një ligj të ri për amnisti për të cilin nuk ka marrëveshje akoma mes Ministrisë së Drejtësisë dhe qeverisë.
“Njëri qëllim është që të falen funksionarët dhe të ketë amnisti për ata që kanë vjedhur dhe e kanë keqpërdorur funksionin kurse qëllimi i dytë është ta shfrytëzojnë Gruevskin për fragmentarizim të VMRO-DPMNE-së. Opozita është e bashkuar dhe do të mbetet e bashkuar kundër ndryshimeve kushtetuese me diktat bullgar. Nuk ka asnjë mendim të ndryshëm sepse grupi parlamentar e ndjek qëndrimin e shumicës së popullit. Komunikimin e Budapestin e kanë pasur që para 8 muajsh, janë marrë vesh mirë se cilat nene duhet të ndryshohen. Në negociatat kanë qenë përfaqësues të lartë të LSDM-së dhe një ministër i BDI-së”, deklaroi Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
Për Gruevskin nuk ka amnisti dhe do të arrestohet në atë moment që do të hyjë në vend, thonë nga LSDM-ja. Por, sipas tyre, Mickoski nuk e ka në kontroll partinë dhe nuk ka dilema se Gruevski është lideri i vërtetë i saj.
“Mickoski të na lë jashtë ndarjeve të brendshme dhe t’i zgjidhë vetë zënkat në VMRO-DPMNE. Posaçërisht që vetë Mickoski duhet të përgjigjet për marrëveshjet me Gruevskin. A i fsheh Mickoski në këtë mënyrë duke bërë fajësime të rreme, kërkesat për amnisti të bashkëpartiakëve të tij, që vinë për shkak të pakënaqësive nga vetë ai?”, u shpreh Darko Kaevski, LSDM.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti në intervistën e fundit për 360 gradë kishte thënë se Gruevski ishte viktimë e fushatave mediatike kundër tij, duke e zhveshur kështu nga përgjegjësia për shumë nga keqpërdorimet që ai është akuzuar publikisht por dhe penalisht. Ahmeti tha se 3-4 vite më parë kishte pasur takim me Zaevin dhe Gruevskin për amnistinë. Të dy ish kryeministrat e mohuan këtë gjë vetëm pak orë pas deklaratës së Ahmetit. Tani nga BDI-ja thonë se Ahmeti ka folur për periudhën e Përzhinës, gjegjësisht për 8 vjet më herët.
“Kjo betejë e brendshme midis forcave në VMRO-së që duan integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe atyre që preferojnë izolimin po zhvillohet në kurriz të vendit dhe qytetarëve, por edhe duke keqpërdorur institucionet e vendit, proceset si dhe partitë politike dhe liderët partiak. Në intervistën e tij, z. Ali Ahmeti ka folur për procesin e negociatave të Përzhinos dhe takimeve me z. Zaev dhe z. Gruevski mbi temën e tejkalimit të situatës nëpërmjet të procesit të së vërtetës dhe pajtimit”, thonë nga BDI.
Opozita shqiptare thotë se ndryshimet e fundit në Kodin penal ishin miratuar për të amnistuar para së gjithash Gruevskin, për të cilin një pjesë e veprave pritet të vjetërsohen. Ata besojnë se dikush nga BDI-ja ka takuar Gruevskin në Budapest për të negociuar amnistinë e tij. /Alsat.mk