BotaLajme

Shqipëria i dhuron botës debatin më të gjerë ndërkombëtar mbi luftën në Ukrainë

Një sesion i jashtëzakonshëm maratonë – ende i papërfunduar dhe i shtyrë për pasditen e 21 shtatorit – ishte ai që Shqipëria i dhuroi të gjithë botës, duke lejuar zhvillimin e debatit më të gjerë ndërkombëtar lidhur me luftën në Ukrainë, që prej kur kjo e fundit ka filluar me agresionin rus më 24 shkurt 2022. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, seketari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Disa prej emrave të spikatur të kësaj mbledhjeje, të moderuar në mënyrë jo thjesht dinjitoze, por në detaje të përsosura nga Shqipëria, e cila është kujdesur që nën privilegjin e Presidencës së Këshilli të Sigurimit, të lejonte gjithë botën të shprehte mendimet mbi luftën. Hapja ishte jo e lehtë nën moderimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, pasi siç pritej, menjëherë u hodh në sulm ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya. Ky i fundit, e ka akuzuar Presidencën shqiptare për thyerje të rregullores së Këshillit të Sigurimit, me lejimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të folur përpara anëtarëve të Këshillit në rend. Megjithatë, Rama e ka bërë të qartë se nuk ka asnjë shkelje të rregullores.

Madje, edhe me batuta të tipit: “Kur vjen nga ju leksioni për mosrespektimin e rregullave është mbresëlënëse”, apo “dua t’i siguroj kolegët rusë dhe gjithë të pranishmit se ky nuk është një ‘operacion special’ i Presidencës shqiptare”. Përkundrazi, nëse Rusia dëshiron që Zelensky të mos flasë i pari, atëherë çështja është e thjeshtë, pasi mjafton që agresioni ndaj Ukrainës të ndalojë. Këtë, ambasadori rus nuk e ka pritur mirë dhe i ka kërkuar kryeministrit shqiptar të mos sillet si lider i një shteti, por si President i Këshillit.

Në përgjigje të kësaj, Rama tha se nuk është ai që po sillet si kryeministër, por është përgjigjur në kapacitetin në të cilin ambasadori vetë e ka thirrur. Më tej, kryeministri shqiptar i dha fjalën sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Guterres, për qëndrimet e para.

PUSHTIMI RUS NË UKRAINË NË SHKELJE TË KARTË SË OKB-së

Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres deklaroi se pushtimi i Rusisë në Ukrainë është shkelje e kartës së OKB dhe po kërcënon sigurinë rajonale. Ai bëri thirrje për ndalimin e sulmeve kundër civilëve dhe infrastrukturës civile. “Janë dokumentuar dëshmi të shkeljeve të theksuara dhe tronditëse të të drejtave të njeriut, duke përfshirë dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, arrestimet arbitrare, ekzekutime në tërësi, kryesisht nga Rusia, dhe transferimin me forcë të civilëve ukrainas, përfshirë fëmijët, në territorin nën kontrollin rus ose në Rusi”.

Guterres theksoi gjithashtu se lufta ka kontribuar në rritje të çmimit të ushqimeve duke lënë mijëra në uri. “Gjatë periudhës 1 vjeçare nisma e detit të zi sëbashku me memorandumin ka ndikuar në uljen e problemeve që shkaktoi nga marsi i vitit kaluar. Kemi 33 milionë metra ton produkte ushqimore që po përpiqemi të përballojmë dhe problemet ushqimore me Afganistanin dhe Somalinë. Jemi të keqardhur që në korrik Rusia u tërhoq nga nisma e detit të zi dhe nisi me sulmet. Janë të papranueshme, duhet mbarojnë njëherë e përgjithmonë”. Ndër të tjera tha se “karta e kombeve të bashkuara është udhërrëfyesi ynë për një botë të paqtë”. “Së bashku përpjekjet tona kanë paralandaluar luftën në shkallë globale, me operacione paqeruajtëse dhe programe për zhvillim. Vetëm këtë javë samiti i objektivave miratoi një plan për parandalimin e krizave të shumëllojshme”.

Megjithatë, sipas tij, instrumentet dhe mekanizmat po mpaken përballë sfidave gjeopolitike. Gjithashtu Guterres theksoi se “çarmatimi bërthamor ka mbetur në vend”. “Ju bëj thirrje qeverive të angazhohen më shumë, të përdoren mjetet diplomatike, për të përcaktuar si përparësi kalimin e krizave”.

ZELENSKY FALËNDERON RAMËN PËR MBËSHTETJEN E UKRAINËS NË KËSHILLIN E SIGURIMIT

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përpara se të merrte fjalën në KS, ka falënderuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, si edhe ekipin diplomatik shqiptar, për gjithë mbështetjen e dhënë në çështjen e Ukrainës, si edhe zërin e ngritur në Këshillin e Sigurimit për këtë kauzë. Lideri ukrainas ka publikuar një median sociale X, njohur më parë si Twitter, një fotografi nga një tryezë e zhvilluar me kryeministrin shqiptar dhe delegacionin e tij, përpara një mbledhjeje historike që Shqipëria ka thirrur në Këshillin e Sigurimit për Ukrainën. “I jam veçanërisht mirënjohës Shqipërisë për anëtarësimin në Deklaratën e G7 për garancitë e sigurisë për Ukrainën. Ne nënshkruam gjithashtu një deklaratë të përbashkët për mbështetjen për integrimin e Ukrainës në NATO”, shkruan Zelensky. Më tej, ai erdhi me propozime konkrete, duke kërkuar një reformim të organit të lartë të OKB-së, duke sugjeruar se vetoja nuk është më një opsion në realitetin e sotëm. Mbi të gjitha, kur atë e ka në dorë edhe një vend agresor si Rusia. “Fuqia e vetos në duart e agresorit është ajo që e ka shtyrë OKB-në në një rrugë pa krye. Pavarësisht se kush jeni, sistemi aktual i OKB-së ju bën ende më pak me ndikim sesa fuqia e vetos që zotërohet nga disa dhe keqpërdoret nga një – Rusia – për të në dëm të të gjithë anëtarëve të tjerë të OKB-së”, përforcoi ai.

Sipas Zelenskyt, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së duhet të marrë fuqinë për të tejkaluar vetot. Për shembull, në rastin kur dy të tretat e vendeve anëtare arrijnë të bien dakord mbi një çështje, nuk ka më pse të ketë veto nga shtete të caktuara dhe nuk ka pse të pranohen ato. Reflektime të tilla nga Zelensky, vijnë për shkak se vendi i tij po ndëshkohet ashpër nga kjo luftë dhe Kievi po e sheh se OKB-ja, pavarësisht vullnetit apo dëshirës për të ndihmuar, e ka të pamundur me një koncept të tillë. “Duhet të pranojmë se OKB-ja e gjen veten në një ngërç për çështjen e agresionit. Njerëzimi nuk i mbështet më shpresat te OKB-ja kur bëhet fjalë për mbrojtjen e kufijve sovran të kombeve. Por unë nuk do të isha këtu sot nëse Ukraina nuk do të kishte propozime për zgjidhje”, shton më tej ai. Po ashtu, unioni afrikan duhet me patjetër të ketë një vend të përhershëm në Këshill, për të pasur sa më shumë gjithëpërfshirje globale dhe barazi në këtë organ.

RAMA KËRKON BASHKIM

Shqipëria mund të jetë një vend i vogël dhe pa ndikim në terren në Luftën në Ukrainë, por fjala e saj u dëgjua sot zëlartë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit, kur kryeministri Edi Rama, i kërkoi të gjithëve të mbajnë përgjegjëse Rusinë për çfarë po ndodh në Ukrainë. Një luftë kjo, e cila jo vetëm që nuk është thjesht e Ukrainës sipas tij, jo vetëm që nuk është thjesht e Evropës, por është e një kërcënimi botëror. Vetë prania e personaliteteve të larta të politikës botërore në këtë mbledhje, e reflekton qartë se sa rëndësi mbledhja e thirrur nga Shqipëria ka. Kjo, pasi është e prapranueshme sipas kryeministrit, që në shekullin e XXI-të, kontinenti të vihet në rrezik nga një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Një tragjedi, e cila është bërë nga vetëm një njeri, i cili po kërcënon me uri dhe skamje miliona njerëz në gjithë botën. Ky nuk ka si të jetë problem vetëm i Evropës, sipas Ramës.

Duke risjellë në vëmendje fjalën e pastorit Martin Niemoller, Rama e shpjegoi në mënyrë të përkyrer gjithë çfarë po ndodh sot. “Së pari erdhën të merrnin Gjeorgjinë dhe nuk bëra zë, më pas erdhën për Krimenë, nuk ishte vendi im, kështu që nuk fola. Më pas erdhën për të gjithë Ukrainën por nuk isha ukrainas e kësisoj nuk thashë asnjë fjalë , pastaj erdhën për të më marrë mua por askush nuk kishte mbetur për të më ndihmuar e për të më mbrojtur”.

Show More

Related Articles

Back to top button