Bashkimi Evropian (BE) nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës dhe është në kontakt me to, për të pasur një pasqyrë të plotë rreth arrestimit të disa serbëve në veri të Kosovës, tha të enjten zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi dje se i ka arrestuar tre persona të komunitetit serb, nën dyshimet për kryerje të “krimeve të luftës kundër popullsisë civile”.
I pyetur nëse po e vinte në pikëpyetje autoritetin e Kosovës për t’i hetuar rastet e krimeve të luftës dhe për të ngritur aktakuza gjatë në një konferencë për media sot në Bruksel, Stano tha: “Kur fola për atë se çfarë po ndodh në veri të Kosovës lidhur me arrestimet nga ana e policisë, nuk thashë se po vëmë në pikëpyetje ndonjë gjë”.
“Thashë se jemi në kontakte të ngushta me partnerët tanë dhe me autoritetet relevante për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe si po kryhen këto veprime. Thashë se po i mbledhim informatat e nevojshme në përgjithësi“, tha Stano.
Stano shtoi se BE-ja është duke mbledhur informacione rreth këtij rasti dhe se “nëse do të ketë nevojë, BE-ja do të reagojë edhe publikisht”, dhe se “qëndrimi i BE-së për procedimin e krimeve të luftës nuk ka ndryshuar“.
Prokuroria tha se tre të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pa dhënë ndonjë hollësi se për çfarë krime lufte akuzohen ata.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se dy prej tre të arrestuarve janë prej komunave të banuara me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan.
Lidhur me këto arrestime ka reaguar Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Sipas tyre, arrestimet janë të motivuara politikisht.
“Është e qartë se [kryeministri i Kosovës Albin] Kurti po vazhdon me planin e tij për ta përdorur dhunën dhe forcën për t’i zgjidhur çështjet e hapura politike dhe për t’i trajtuar serbët në Kosovë si pengje në procesin e negociatave”, është thënë në reagimin e Listës Serbe, pa përmendur se të ndaluarit akuzohen për krime lufte.
Në një konferencë për media në Beograd të mërkurën, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se arrestimi i tre serbëve përbën “vazhdimësi të spastrimit etnik” nga qeverisja e Kurtit.
Ai shtoi se ka marrë urdhër nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të nisur procedurë për thirrjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë.
Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.