Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka fluturuar në ishullin turistik të Indonezisë, Bali për një takim të ministrave të Jashtëm të G20-s, i cili pritet të mbetet në hije nga tensionet në Ukrainë, shkruan The Guardian.
Mbledhja e G20-s zgjat deri të premten në zonën Nusa Dua të Balit, ndërsa diplomatët e huaj zbritën në ishullin tropikal për takimin.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë se Rusia nuk duhet të lejohet të përdorë takimin e G20-s si një platformë duke pasur parasysh luftën e saj në Ukrainë.
“Është në interesin e të gjithëve ne të sigurojmë që e drejta ndërkombëtare të respektohet. Ky është emëruesi i përbashkët”, ka thënë Baerbock në një deklaratë.
Samiti do të shohë takimin e parë ballë për ballë mes ministrit të Jashtëm të presidentit Vladimir Putin, Lavrov dhe disa prej kritikëve më të mëdhenj të Rusisë që nga pushtimi i Ukrainës.
Lavrovi kishte mbërritur në Bali dhe kishte planifikuar të takonte disa homologë të G20-s në margjinat e samitit, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Tass, por ministrat përfshirë Baerbockun dhe sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, e kanë përjashtuar mundësinë e takimit me të.
G20 përfshin vendet perëndimore që kanë akuzuar Moskën për krime lufte në Ukrainë dhe kanë vendosur sanksione, por edhe vende si Kina, Indonezia, India dhe Afrika e Jugut që kanë qenë më të heshtura në përgjigjen e tyre.
Disa zyrtarë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se samiti i Balit nuk do të ishte “biznes si zakonisht”, me një zëdhënës të ministres së Jashtme gjermane duke thënë se vendet e G7-s do të koordinojnë përgjigjen e tyre ndaj Lavrovit në Bali.
Diskutimi për energjinë dhe sigurinë ushqimore janë në rendin e ditës në takimin dyditor, me Rusinë të akuzuar për nxitjen e një krize globale ushqimore dhe përkeqësimin e inflacionit duke bllokuar dërgesat e drithit ukrainas. Rusia ka thënë se është e gatshme të lehtësojë eksportet e grurit.
© KOHA