Në shkollën fillore të Forinës u botua numri i parë i revistës shkollore “NXËNËSI”, revistë kjo e cila është e para e këtij lloji jo vetëm për shkollën në fjalë, e cila viteve të fundit tregon një sukses të madh në organizimin e aktiviteteve të ndryshme me karakter letrar e kulturor, por edhe për mbarë vendin tonë në përgjithësi.
Nga një punë e gjatë dhe nga një angazhim i përbashkët ndërmjet nxënësve dhe arsimtares së Gjuhës Shqipe në këtë shkollë, Adelina Xhaferi, kjo revistë shkollore do të jetë shembulli i duhur jo vetëm për numrat tjerë të saj, por edhe për shumë shkolla të tjera, të cilat do t’i rreken një pune të këtillë.
Revista shkollore “Nxënësi” ka brenda vetes punime të shumta të nxënësve të moshave të ndryshme, të cilët falë nxitjes së vazhdueshme gjatë orëve mësimore arritën që ta realizonin dëshirën e tyre: botimin e një reviste dhe njohjen e botës së tyre shkrimore.
Me anë të kësaj reviste lexuesit e shumtë do të njihen me krijime shumë të bukura të nxënësve të shkollës së Forinës, si dhe në të njëjtën kohë do të mësojnë edhe shumë gjëra të reja në lidhje me shkrimin, letërsinë, gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare (e jo vetëm).